E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Në 11 maj votoni për mbylljen e negociatave për anëtarësim në BE, mos e hidhni votën në kënetë

TIRANË, 8 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili u bëri thirrje nxënësve të bojkotojnë mësimin për shkak të vendimit të qeverisë për të mbyllur aksesin në TikTok.

Në një takim me gra dhe vajza nga i gjithë vendi, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Rama e konsideroi këtë thirrje “një lajthitje të madhe”.

“Në Ditën e Mësuesve jehoi një thirrje për të gjithë fëmijët e Shqipërisë për të mos shkuar në shkollë. Të gjithë fëmijët u ftuan nga ‘Kujtim Gjuzi’ që të mos shkojnë në shkollë dhe prindërit u ftuan që mos t’i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë ditën e hënë dhe të shfaqin të gjithë madhështinë e marrëzisë për të protestuar pse do të mbyllet TikTok”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “nuk ka nevojë për asnjë koment, argumentim apo fjalë më tepër”.

“Në vetvete u thotë në radhë të parë të gjitha nënave pavarësisht nëse janë socialiste, demokrate, pa parti apo me parti se nga çfarë duhet të ruhen në 11 maj. Kush voton duhet të ketë parasysh se ka në dorë të bëjë dy gjëra: ose t’i japë mbështetje Shqipërisë për të vazhduar pa humbur asnjë ditë negociatat për anëtarësim sipas një kalendari superambicioz që mbyllet në 2027, ose ta përdorin votën për ta hedhur në kënetë”, tha Rama.

Rama tha se është një lajthitje e madhe e thirrja për të mos shkuar në mësim fëmijët dhe që prindërit t’i mbajnë fëmijët në shtëpi sepse do të mbyllet TikTok. “Tregon në fakt se sa rreziqe të tjera mund të presim nga një mendje e ikur. Kështu që unë besoj shumë në radhë të parë tek qetësia dhe mençuria e grave”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se nëse do të votonin vetëm gratë në Shqipëri, PS do të merrte 90 deputetë.

“Nëse duhet të zgjedh mes votës së një gruaje dhe një burri unë them votën e gruas, sepse është më shumë sesa një votë, është një vendim. Gratë në shumicën dërrmuese, nënat nuk janë tifoze, burrat janë tifozë. Kjo sepse gratë e ndërtojnë fatin”, tha ai.

Kryeministri përsëri thirrjen për gratë që kanë burrat demokratë që në 11 maj të mbajnë burrat në shtëpi, jo fëmijët për të shkuar në shkollë. “Me tifozllikun e tyre ata marrin në qafë fëmijën dhe familjen, por vendit nuk kanë çfarë i bëjnë, sepse shumica dërrmuese më e madhe se asnjëherë tjetër do të votojnë për të çuar Shqipërinë në BE”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›