Berisha: Protestojmë kundër mbylljes së TikTok sepse është një akt censure

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetari në lidhje me protestën që do të zhvillojë më 15 mars, kryedemokrati tha se “do protestojmë kundër mbylljes së TikTok sepse është një akt i rëndë censure”.
“Dua të rikujtoj një fjalë të presidentit Donald Trump, që në vlerësimin tim është deklarata më e fuqishme e jetës së tij. Ai u tha amerikanëve para se të fitonte, se rreziku më i madh për kombin tonë nuk është Kina, nuk është Rusia, ata janë, por rreziku më i madh është armiku i brendshëm. Ai armik që lartësonte flamurin e censurës, që ngrinte në institucionet e vendit të lirisë zyrat e censurës”, tha Berisha.
Sipas Berishës “kompanitë e mëdha, që bënë revolucion në komunikimin në shoqërinë njerëzore, u rikthyen tek censorët dhe krijuan shtabet e censurës”.
“Duhet ta pranojmë, TikTok-u është një mjet jashtëzakonisht tërheqës dhe komod për komunikimin. Por akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se “protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi”.
/r.e/