E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në 2013 do sigurojmë 71 mandate edhe pa LSI

PRISHTINE- Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama deklaron përfundimi i reformës zgjedhore është një nga kushtet që shqipëria të jetë pjesë e BE. Sipas tij, në Shqipëri duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli i zgjedhjeve të deformuara, problem ky sipas tij i konstatuar edhe nga KE.

“Reforma elektorale është prioriteti i prioriteteve ndër 12 prioritetet/ rekomandimet që Bashkimi Evropian ka vendosur për Shqipërinë, sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, është e kotë që të pretendojmë të bashkohemi me familjen evropiane me të drejta të plota.Ky fakt, kjo e vërtetë është një e vërtetë, të cilën vetë Komisioni Evropian e mbron, duke konstatuar në vijimësi probleme të rënda me zgjedhjet dhe duke kërkuar që përmes një reforme të plotë elektorale, Shqipëria të përmbyllë kapitullin e zgjedhjeve të deformuara, e të kontestuara dhe të hapë një kapitull të ri”, tha Rama. 

Rama ka hedhur poshtë një ribashkim të mundshëm me LSI në zgjedhjet parlamentrëe të 2013-së duke deklaruar se PS është e gatshme të marrë 71 mandatet për të qënë ftuese.
“LSI-ja është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne nuk shohim asnjë dallim që të na bëjë të mendojmë çfarëdo skenari tjetër, përveç skenarit të marrjes së të gjitha votave të popullit shqiptar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të më shumë se 71 mandateve për të qeverisur Shqipërinë, si alternativë e këtij koalicioni me një ofertë shumë të qartë - ose një rilindje shqiptare ose një rrënim i mëtejshëm me këtë koalicion, ku edhe LSI-ja është pjesë integrale”, nënvizoi kreu i PS.

Përfundimi në kohë i reformës zgjedhore sipas Ramës është i një rëndësie të vecantë. Ai theksoi se ky proces nuk po ecën keq.

"Ne duam një përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të rritjes së transparencës dhe të përfaqësimit të të gjithë votuesve përmes të gjitha subjekteve elektorale. Ndërsa, pala tjetër është krejtësisht e mbyllur në këtë pikë.  Sa i përket aspektit tjetër të reformës që ka të bëjë me rregullat e lojës, që ka të bëjë me të gjitha ato deformime dhe probleme të konstatuara nga misioni i OSBE/ODIHR-it, dhe me rekomandimet e këtij misioni, ka një ecuri, të cilën unë nuk do të doja ta gjykoja negativisht apo ta paragjykoja në këtë fazë.Ecet, dhe shpresoj që të mos jetë e nevojshme në asnjë mënyrë një shtyrje tjetër e afatit, pasi ka një rëndësi themelore që reforma të mbyllet në kohë”, shtoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›