Rama: Në Kuvend, pas hetimit të plotë të zgjedhjeve

Kryetari i PS-së, Edi Rama, përshëndeti qëndrimin e Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së
TIRANË - Deklarata e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, është vlerësuar nga Partia Socialiste, e cila ka shprehur mirëkuptimin e saj të plotë për qëndrimet e shprehura në të kryesisht për sa i përket hetimit të zgjedhjeve parlamentare.
Në një dalje të posaçme për mediat, kreu i selisë rozë, Edi Rama, i sapokthyer nga vizita që zhvilloi në Vjenë ku u takua me drejtuesit më të lartë të OSBE-së, ka përshëndetur vlerësimin dhe zgjidhjet që jep Soares në deklaratën e vet për situatën politike në Shqipëri. Rama ka theksuar se ajo që rekomandon drejtuesi i lartë i OSBE-së për sa i përket hetimit të zgjedhjeve është ajo që Partia Socialiste kërkon.
"Ne jemi plotësisht e tërësisht në një mendje me sa shkruhet në këtë deklaratë lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë e tërësor të zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutën dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar. Kjo është gjithçka kërkojmë dhe jam i lumtur të them se me Presidentin Soares ramë gjithashtu në një mendje që hetimi parlamentar as mund të kufizohet e as mund të kushtëzohet", - u shpreh kryesocialisti Edi Rama në deklaratën e vet.
Natyrisht, kreu socialist ka ripërsëritur edhe një herë garancinë që i ofron mazhorancës dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtar se hetimi i zgjedhjeve kërkohet vetëm në funksion të shpëtimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe jo për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të shkuara. "Demokracia shqiptare nuk është në krizë, sepse opozita është në bojkot.
Ne jemi në bojkot, sepse demokracia është në krizë. Dhe fundi i kësaj krize fillon me transparencën e plotë, tërësore, të pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Jo për të ndryshuar rezultatin po për të shembur sistemin e korrupsionit elektoral.
Tanimë tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe vetë OSBE-ja që ka shkruar raportin e zgjedhjeve sot ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të hetohen plotësisht e tërësisht. Uroj me gjithë zemër që qeveria dhe përkatësisht zoti Berisha t'i dëgjojë kambanat që bien nga të katër anët, përpara se kriza të bëhet e padurueshme për popullin", - u shpreh Rama.
Ndërkohë, ai ka garantuar se deputetët socialistë do të zënë vendet e tyre në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit menjëherë sapo mazhoranca të pranojë një hetim të tillë, të plotë dhe të hollësishëm.
"Padyshim zoti Soares nënvizoi edhe bindjen e tij se opozita duhet të kthehet në kuvend dhe unë i rishpreh edhe publikisht vullnetin tonë për ta mbyllur bojkotin me t'u mbyllur përpjekja e qeverisë për ta kufizuar e kushtëzuar komisionin hetimor parlamentar duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit", - theksoi Rama.