Rama: Në Kuvend për hapjen e kutive

Kryetari i opozitës tha se nëse mazhoranca nuk do të dëgjojë kërkesat e opozitës, atëherë muaji mars do të shënojë edhe fillimin e protestave
TIRANË - "Asnjë kauzë e drejtë nuk fiton pa një betejë të madhe". Kështu u shpreh dje Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, para deputetëve socialistë të mbledhur dje në selinë rozë.
Pas gjashtë muajsh beteje, kryetari i PS-së u shpreh se opozita arriti shumë. "Kjo kauzë nuk është më vetëm kauza e 93% të socialistëve që me kurajë panë larg dhe votuan për bojkotin e për protestat, po e një populli të tërë që kërkon transparencën e zgjedhjeve.
Kjo betejë nuk është më vetëm beteja e të majtës, po edhe e të djathtës që nuk varet nga interesat e pushtetit të familjes kryeministrore. Kjo çështje është bërë tanimë jo vetëm çështja e çdo shtëpie shqiptare, po edhe e çdo tryeze ndërkombëtare ku flitet për Shqipërinë", - tha Rama.
Kryetari i opozitës sqaroi gjithashtu se mandatet e deputetëve socialistë nuk mund t'i marrë as Berisha, Meta apo Nano. Për pasojë, Rama shtoi se nëse mazhoranca nuk do të dëgjojë kërkesat e opozitës, atëherë muaji mars do të shënojë edhe fillimin e protestave.
"Në rast se pushteti nuk do të dëgjojë zërin e arsyes sonë, marsi nuk mund e nuk do të jetë muaji i lojës e ka kush e ka të Saliut, Ilirit dhe Fatosit me mandatet e popullit opozitar, por muaji i ngritjes së opozitës popullore në një valë proteste, e cila nuk do të zmbrapset deri në realizimin e qëllimit tonë të patjetërsueshëm, për transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve", - tha Rama. Kryetari i PS-së ka sqaruar edhe njëherë para deputetëve të PS-së e medias se opozita e ka njohur rezultatin e zgjidhjeve, e për pasojë ajo nuk kërkon rinumërim për të ndryshuar rezultatin.
"E kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse jemi grabitur barbarisht nga pushteti, e nëpërkëmbur padrejtësisht nga gjykata. Nuk duam rinumërim për të ndryshuar rezultatin por hetim të numërimit dhe dokumentacionit zgjedhor për të ndryshuar një herë e mirë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.
Nuk kërkojmë pushtetin në tavolinë, por hetimin parlamentar që do t'i heq përfundimisht çdo pushteti mundësinë që t'i marrë zgjedhjet edhe kur populli nuk ia jep", - tha ai. Kjo është e qartë për të gjithë, sipas Ramës.
"Edhe për miqtë edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë, se kërkojmë vendosjen e një të drejte për të gjithë, jo plotësimin e interesit për një palë", - tha Rama.
Kryetari i PS-së saktësoi se bojkoti nuk është zgjidhja, por e vetmja zgjidhje që u la me refuzimin e të drejtës elementare e kushtetuese për të hetuar gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve "nga një pushtet që siç thotë edhe raporti i ndërkombëtarëve, u bë njësh me shtetin".
"Bojkoti ynë i shumë kritikuar është pikërisht pasqyra që nxori qartë në sytë e të gjithëve krizën e lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri, të cilën nuk e zgjidh dot heqja e pasqyrës së Parlamentit gjysmak, por vetëm transparenca përmes hetimit parlamentar",- tha Rama. Megjithatë, kryetari i opozitës ka ofruar dje një shans për zgjidhjen e krizës përmes pjesëmarrjes në Kuvend.
"Kemi gati çelësin që hap derën e kthimit të opozitës në Parlament, duke i hapur rrugën transparencës së plotë. Nesër do t'ia lëmë publikisht në dorë Sali Berishës. I takon shumicës në sallë të vendosë paskëtaj nëse e do edhe opozitën në sallë apo e do bashkë me popullin në rrugë, deri kur në këtë vend të rivendoset një e drejtë që ne nuk kemi ndërmend ta lemë peng për asnjë arsye në botë.
Me mandatet e popullit opozitar, deputetët e Partisë Socialiste, do të udhëheqin hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të krimit elektoral. Ose nëse në Parlament nuk ka vesh për të drejtën tonë, deputetët do të jenë në krye të protestave pa ndalim, për të çliruar zgjedhjet nga duart e krimit elektoral, që i mbushi kutitë me vota për pushtetin si në Ruzhdien e famshme, ku Sali Berisha qahet përditë se humbi një mandat", - tha Rama.
Kryetari i opozitës sqaroi se sot PS-ja është në Kuvend jo për ta ndërprerë betejën për kutitë, por për ta çuar më përpara. "Nuk shkojmë në parlament për të dal, po as për të ndenjur pa i hapur kutitë. Transparenca zgjidh krizën politike, refuzimi i transparencës do sjell rëndimin e më tejshëm të krizës", - tha ai.
********************
Grupi parlamentar i PS-së vendos vetëm për të bërë sot betimin në Kuvend dhe depozitimin e nismës ligjore për kutitë
PS, sot në Kuvend. Nisëm për hetimin e zgjedhjeve
TIRANË - Partia Socialiste vendos të hyjë sot në Parlament, për të paraqitur nismën e saj ligjore, që synon pikërisht hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e plotë të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Grupi parlamentar i PS-së vendosi dje pas një mbledhje të zhvilluar pasdite në ambientet e selisë rozë, që të hyjë në Kuvend vetëm për të bërë betimin dhe për të paraqitur më pas nismën ligjore për hapjen e kutive. Më pas, gjithçka do të kthehet si më parë.
Opozita do të lërë vendet e saj në Kuvend, për tu rikthyer vetëm kur të marrin një përgjigje pozitive nga mazhoranca për kutitë e votimit. Përmes një projektligji është vendosur që nisma ligjore për transparencën e zgjedhjeve të mos lihet në vullnetin e partive politike, por të shndërrohet në ligj, i cili të parashikojë hapjen e kutive të votimit kurdo që bëhet një kërkesë e tillë.
Më konkretisht, nisma ligjore parashikon që çdo parti parlamentare të ketë të drejtë të bëjë transparencë zgjedhore dhe të ketë shumicën në komisionin hetimor. Kjo ka vlerë deri në gjashtë muaj nga dita e zgjedhjeve. Shumicën e komisionit dhe kryetarin duhet ta ketë partia më e madhe e opozitës.
Nisma do të paraqitet ditën e sotme në Kuvend përpara mazhorancës nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Nëse këto propozime nuk do të gjejnë mirëkuptimin e mazhorancës qeverisëse, atëherë opozita do të fillojë përgatitjet për fillimin e protestave në muajin mars.
Debatet
Megjithëse vendimi i djeshëm për të hyrë në Kuvend është mirëpritur nga shumica e anëtarëve të grupit parlamentar, në këtë mbledhje nuk kanë munguar as edhe debatet dhe konfliktet verbale midis anëtarëve të grupit socialist.
Një nga iniciuesit të debatit midis anëtarëve ka qenë drejtuesi i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, Ben Blushi, i cili në vazhdimësi të qëndrimeve kritike ndaj linjës zyrtare të "selisë" e ka konsideruar këtë vendim të grupit parlamentar si të vonuar.
Mësohet se gjatë mbledhjes Blushi është shprehur se vendimi i tanishëm i deputetëve të PS-së për tu futur në Kuvend është bërë vetëm për të marrë rrogat. "Çfarë ndryshimi ka tani? Deri më dje keni bërë mitingje pa rroga tani do t'i bëni me rroga.
Këtë gjë e bëtë vetëm për rrogat", - mësohet të ketë thënë Blushi gjatë diskutimeve. Në këtë çast ndërhyn deputeti tjetër i PS-së, Fatmir Toçi, duke i kërkuar Blushit që të mos i ofendojë deputetët e tjerë dhe të heshtë, ndërsa e cilësoi atë si maniak mediatik.
"Po boll fole mor maniak mediatik... Nëse doje të hyje në Kuvend të kishe hyrë, por nuk e bëre... Na ofendove të gjithë me këto që the", - është shprehur Toçi. Debati vijon më tej, kur Blushi i akuzon anëtarët e grupit se ata kanë konsideruar drejtuesin e LMN-së, shërbyes të Kryeministrit Sali Berisha.
Por, sipas Blushit, kjo nuk është ajo që ai ka investuar politikisht në PS. "Ju keni thënë që unë i shërbej Berishës, le ta thonë por nuk tregon atë që kam investuar unë në PS. Këto janë për t'i bërë qejfin atij që i ka kërkuar t'i thonë", - ka theksuar Blushi.
Pas pak çastesh fillon të krijohet një zhurmë e madhe, ndërsa kërkon të marrë fjalën edhe deputeti Andis Harasani. Në këtë moment ndërhyn një tjetër deputet Tom Doshi, për të qetësuar situatën. "Boll fole ti Blushi, nuk ke për të folur më. Edhe ti Andis mos fol më...", tha Doshi.
******************
Sipas tij, nëse bojkotohet sërish, opozita aborton kauzën për hapjen e kutive
Hyrja e PS-së, Blushi: Vendim i vonuar
TIRANË - Një nga drejtuesit e grupit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, Ben Blushi, e ka konsideruar vendimin e grupit parlamentar socialist për të hyrë në Kuvend si të vonuar.
Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar, Blushi theksoi se hyrja e PS-së sot në Parlament duhet të kishte ndodhur që pas zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009. Sipas tij, i gjithë aksioni politik i Partisë Socialiste përgjatë këtyre gjashtë muajve ka rezultuar i dështuar dhe, sipas Blushit, kjo periudhë ka qenë një kohë e harxhuar, e cila nuk ka prodhuar asnjë produkt politik, ndërsa shtoi se bojkotimi sërish i Parlamentit nga opozita do ta dëmtonte kauzën e kësaj të fundit për hapjen e kutive të votimit.
"Natyrisht, që është koha për të thënë se ky gjashtëmujor ishte i harxhuar kot. Për gjashtë muaj, fatkeqësisht, Partia Socialiste nuk ka fituar betejën që i vuri vetes përpara, ka komplikuar shumë marrëdhëniet e veta me komunitetin ndërkombëtar, i cili i ka bërë presion për të ndërprerë bojkotin, gjë që po ndodh", - tha dje Blushi.
Ai vuri në dukje se opozita duke qëndruar jashtë parlamentit nuk arriti të hapë kutitë e votimit, të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, por as edhe të marrë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për kauzën e saj politike. Sipas tij, nëse vazhdon e njëjta situatë edhe pas hyrjes në Kuvend, atëherë kjo do ta dëmtojë shumë opozitën.
"Ne nuk arritëm dot të hapim kutitë, nuk arritëm të shkaktojmë zgjedhje të parakohshme, nuk arritëm dot të sensibilizonin komunitetin ndërkombëtar që të jetë palë me ne, apo që të na mbështesë në iniciativat tona.
Nëse kjo vazhdon Partia socialiste do të jetë në një pozitë edhe më të vështirë nga ajo që ka qenë", - u shpreh ai. Iniciativën politike të ndërmarrë dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist për të hyrë dhe për të dalë sërish nga Kuvendi, Blushi e cilësoi një lojë qesharake dhe, sipas tij, kjo e aborton kauzën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ai theksoi se nuk do të bëhet pjesë e kësaj loje, megjithatë, Blushi evidentoi faktin se e kishte firmosur këtë vendim të grupit socialist.
"Do të ishte qesharake që Partia Socialiste të hynte dhe të dilte nga Parlamenti. Vendimi i grupit ishte që të hyhet në Parlament, të depozitohet një projektligj për hapjen e kutive dhe të dilet sërish. Kjo e aborton kauzën e Partisë Socialiste",- nënvizoi deputeti i PS-së.
Blushi i mëshoi idesë se nëse Partia Socialiste do të bojkotojë sërish Parlamentin kjo do ta dëmtonte atë në marrëdhëniet me elektoratin dhe komunitetin ndërkombëtar. Ai shtoi se nëse çështja për hapjen e kutive të votimit do të dërgohet në komisionin e Venecias dhe pavarësisht vendimit të këtij komisioni, sipas Blushit, PS-ja duhet të jetë në Parlament.
Debatet e mbledhjes së kryesisë së PS-së
Arben Malaj: A mund të na sqaroni se cila është rruga që do ndjekë grupi parlamentar?
Edi Rama: Unë e thashë që grupi do të hyjë nesër në Parlament, do dorëzojë nismat ligjore dhe pastaj do dalë. Do të presim për reagimin nga ana e mazhorancës dhe pastaj në mars do të nisin protestat, nëse nismat nuk pranohen.
Ngrihet Besnik Bare, Ben Blushi: Ulu, o Besnik, se s'po e lexon mirë atë që të kanë dhënë të shkruar.
Besnik Bare: Po më provokove edhe një herë, do të më bësh të të them disa gjëra nga jeta jote o Blush, që janë dhe shkaku i kompleksit dhe i dëshpërimit tënd...
Ben Blushi: Unë mendoj që duhet të rrimë në Parlament, nëse do të hyjmë. Kjo që po bëjmë nuk ka kuptim, se çfarë fituam gjatë gjithë kësaj kohe. S'kemi fituar praktikisht asgjë, ndërkohë që na kanë bojkotuar edhe ndërkombëtarët duke na thënë hyni në Parlament.
Protesta s'kemi bërë më. Kutitë nuk janë hapur. Pra, s'kemi fituar asgjë. I vetmi ndryshim tani do jetë që protestat do t'i bëni me rroga, jo siç i keni bërë deri tani pa rroga. Këtë e bëtë vetëm për rrogat
Fatmir Toçi: Po boll fole mor maniak mediatik. Ti mund të shkatërrosh çdo gjë, vetëm të shohësh surratin tënd në televizor. Do të të tregoj se sa vlen, dhe pastaj nuk do të zënë këmbët... Nëse doje të hyje në Kuvend të kishe hyrë, por nuk e bëre... Sharlatan! Na ofendove të gjithë me këto që the.
Ben Blushi: Po rri o Fatmir rri, mos fol kështu, se po të mbaj me lekë.
Fatmir Toçi: Mos më bëj të nxjerr sms-të që i kam ruajtur e ku më kërkon lekë nga libri.
Ben Blushi: Ju keni thënë që unë i shërbej Berishës, le ta thonë. Por, nuk tregon atë që kam investuar unë në PS. Këto janë për t'i bërë qejfin atij që i ka kërkuar t'i thonë.
Xhemal Qefalia: Po i bie shumë gjatë pa thënë asnjë gjë
Fatmir Toçi: A jeni ju që kërkuat 6 muaj të hyni në Kuvend. Këta njerëz në vend që të vënë shënjestrën tek PD-ja e vënë tek Rama. Tani vjen momenti që shënjestra e tyre godet partinë. Kjo është thelbësorja, do bëjë analizë, por më vonë.
Tom Doshi-Blushit e Harasanit që ngrihet të flasë: Boll fole ti Blush, nuk ke për të folur më. Edhe ti Andis...
Arben Malaj: Oferta jonë politike e paraqitur sot është e paqartë. Nëse ajo nënkupton thjesht betimin dhe paraqitjen e projektligjit dhe pastaj daljen sërish nga Parlamenti, kjo nuk është ndërprerje bojkoti, por një veprim politik i cunguar, jo i plotë dhe jo efektiv. Partia Socialiste duhet të tregojë realisht se do të fillojë një opozitë produktive në Parlament.
Ne duhet të bëjmë organizimin e plotë të grupit parlamentar. Së pari, të përzgjedhim drejtuesit politikë të grupit parlamentar dhe së dyti, të paraqesim në seancë propozimet konkrete për përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komisionet dhe delegacionet parlamentare.
Ne duhet të përgatitemi dhe të përfaqësojmë një opozitë parlamentare sa më të suksesshme, në sallën e Parlamentit për sfidat e vendit tonë. Mbështes kushtëzimin e votimeve në Parlament, trajtimin me prioritet nga Parlamenti të projektligjit, që do të propozojë Partia Socialiste për transparencën e zgjedhjeve, duke mos u rikthyer në bojkot, por duke kushtëzuar agjendën parlamentare.
Çdo dalje nga parlamenti nesër, duke bërë vetëm betimin dhe duke dorëzuar vetëm projektligjin, e zbeh veprimin tonë politik dhe e bën më të vështirë rikthimin në Parlament, në një kohë të dytë. Në këtë rast, ne do të humbitnim kohë për sfidat tona politike.