E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjetja e personave të ekzekutuar, qeveria ngre Task-Forcën

Qeveria ngre Task-Forcën për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit


TIRANË - Edhe pse PD-ja ka trumbetuar prej vitesh dënimin e krimeve të komunizmit, dhe në të njëjtën kohë edhe gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë regjimit, qeveria shqiptare vetëm dje ka ndërmarrë një nismë konkrete.


Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e Task-Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, e cila do të kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe në përbërje të saj do të jenë:


a) Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave; b) Drejtori i Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror;


c) Drejtori i Arkivës së Ministrisë së Brendshme; ç) Drejtori i Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes;


d) Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit; dh) Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve; e) Nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore;


ë) Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë.


Në mbledhjet e Task-Forcës janë ftuar të marrin pjesë edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara, vetëm në ato raste ku çmohet se pjesëmarrja e tyre do jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj.


Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje: a) Një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë; b) Një përfaqësues nga Drejtoria Juridike, në Ministrinë e Brendshme;


c) Një përfaqësues nga Policia e Shtetit. Task-Forca do të ketë si qëllim kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist.


Për realizimin e këtij qëllimi, ajo bashkërendon punën për: a) identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të cilët nuk dihet vendi i varrimit; b) identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve;

c) gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre. Task-Forca do të mblidhet me kërkesë të kryetarit të saj. Mbledhjet do të zhvillohen në mjediset e Ministrisë së Brendshme.


Kryetari i Task-Forcës duhet të raportojë me shkrim, pas çdo mbledhjeje, pranë Kryeministrit, lidhur me ecurinë, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura.


Kryetari i Task-Forcës, me kërkesë të Kryeministrit, raporton pranë Kryeministrit edhe për çështje të veçanta.


Ndërsa anëtari i Task- Forcës ka për detyrë:


a) të hartojë planet e masave, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon;

b) të bashkërendojë të gjitha veprimtaritë me institucionet e tjera; c) të raportojë periodikisht, pranë kryetarit të Task-Forcës, lidhur me ecurinë dhe rezultatet e arritura nga institucioni që përfaqëson.


**************


Kreu i Institutit të Mjekësisë Ligjore rrëfen se identifikimi i plotë i eshtrave të zbuluara rrëzë malit të Dajtit do të bëhet në bashkëpunim më Prokurorinë

Eshtrat, Ymaj: Nga ekspertiza rezultojnë 13 viktima

TIRANË - 13 njerëz rezultojnë të ekzekutuar në varrezën e zbuluar pak kohë më parë rrëzë malit të Dajtit. Ky është konkluzioni i ekzaminimit të bërë i 19 qeseve me eshtra të dorëzuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore.


Nga ekspertiza e kryer, rezultojnë se bëhet fjalë për 13 viktima, njëra prej të cilave i përket seksit femër. Lajmi konfirmohet për gazetën "Shekulli" nga drejtori i Institutit të Mjekisë Ligjore, BesimYmaj, sipas të cilit, ende flitet vetëm për ekzaminimin paraprak të këtyre eshtrave.


Ekspertiza


12 ditë u janë dashur ekspertëve të mjekësisë ligjore për të përcaktuar se në 19 qeset e dorëzuara me eshtra gjenden 13 viktima. Ky është konkluzioni që kanë nxjerrë mjekët ligjor nga ekspertiza e kryer. Kështu, Ymja thotë se deri më tani është bërë vetëm ekzaminimi paraprak dhe është ende larg identifikimit të tyre.


Drejtori i Mjekësisë Ligjore thotë se kjo fazë do të jetë shumë e mëvonshme, pasi gjithçka do të varet nga bashkëpunimi me prokurorinë e Tiranës, e cila tashmë ka nisur hetimet mbi zbulimin e varrezës masive në veri të kryeqytetit.


Sipas Ymajt, ekspertët e mjekësisë ligjore do të punojnë për krijimin e një database për gjithsecilin prej trupave të gjetur, duke filluar nga mosha e tyre e deri tek të dhënat mbi sëmundjet apo dhe frakturat e mundshme që mund të kenë pasur viktimat. "Pikërisht kjo është ajo qe në do të bëjmë gjatë gjithë kësaj kohe.


Përcaktimi i seksit të eshtrave të ardhura është vetëm faza e parë e punës sonë. Ndërkohë që do të vijohet me grupimin e të dhënave për çdo skilet. Të gjitha këto të dhëna do t'i paraqiten prokurorisë, e cila nga denoncimet e bëra nga familjarë të ndryshëm mund të lokalizohet identifikimi i viktimave.


Vetëm pasi të jenë krijuar këto profile do të jetë e mundur të bëhet analiza e AND-së", - thotë Besim Ymaj. E ndërsa puna për ekzaminimin e eshtrave vijon normalisht në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nuk janë të pakët familjarë të viktimave të regjimit komunist që interesohen për ecurinë e këtij procesi.


Zbulimi i varrezës së regjimit komunist në periferi të Tiranës vetëm pak ditë më parë ka hedhur dyshime të forta për kohën e gjetjes së eshtrave dhe momentin e publikimit të saj. Zyrtarisht është dokumentuar se varreza është zbuluar në prill të vitit të kaluar. Në atë kohë, tre persona kanë dorëzuar në morgun e Tiranës katër qese me eshtra njerëzish.


Ata kanë kontaktuar me mjekët dhe u kanë thënë se eshtrat u përkisnin të pushkatuarve të regjimit komunist. Eshtrat janë marrë në dorëzim, por askush nuk është marrë më me to. Historia e eshtrave u bë publike pikërisht kur presidenti bëri publike datën e tryezës ku do të takohej me Edi Ramën dhe Sali Berishën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›