E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama Ne e vetmja rruge nuk eshte slogan por eshte e verteta

Edi Rama çeli fushatën elektorale në Vlorë, ku prezantoi kandidatët e Aleancës për të Ardhmen për qarkun dhe rikandidimin për bashkinë të Shpëtim Gjikës. Kreu i socialisteve deklaroi se rruga drejt zgjedhjeve të 8 Majit është e rrezikshme, por ai u dha garanci mbështetësve të opozitës se kundërshtarët politikë në qeverisjen e vendit nuk do kenë mundësi të fitojnë me forcë e para, as në zonat që i konsiderojnë bastione të tyre, duke përmendur Kamzën dhe Kavajën si sfidat më të forta të kryesocialistit për këto zgjedhje.

“Ne e dimë mirë në çfarë zgjedhje të rrezikuara po hyjmë, por lejomëni që këtu nga sheshi i Flamurit t’i them Saliut dhe Ilirit se duhet t’a harrojnë që këto zgjedhje t’i fitojnë kurdo qoftë. Nëse duan të fitojnë duhet të djersisin fort dhe do fitojnë vetëm me votë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrugë tjetër. Ndërkohë që u them të përgatiten se me votë edhe në Kavajë dhe në Kamëz mund të munden. 2 vjet më parë votat u vodhën dhe Shqipëria ra në rrokullimën e kusarisë, e gënjeshtrave pa fund. Vjedhja e votës është hyrja në rrugën qorre të një krimi që bëjnë çdo ditë siç e shihni pushtetarët dhe e paguajnë çdo ditë siç e ndjeni në kurrizin tuaj gjithmonë e më shtrenjtë qytetarët. Tek vjedhja votës nis braktisja e hapur e interesave kombëtare”, tha Rama.

Rama iu kundërpërgjigj akuzave të kryeministrit Berisha se slogani i opozitës e vetmja rrugë është rikthim i tyre në të shkuarën komuniste. Por, sipas kryesocialistit ky argument i liderit demokrat është frike nga e vërteta.

“Rruga e tyre është rruga e dhunës anti kushtetuese. Është rruga e ushtrimit të paligjshëm të forcës. Është mbi të gjitha rruga e injorancës së verbër që përpëlitet prej zemërimit përpara të bukurës. Ne jemi e vetmja rrugë dhe lejomëni që këtu nga sheshi i flamurit ti tregoj Saliut se sado të vështirë e ka, sado të pamundur e ka, sado me dëshpërim e sheh sloganin tonë, ky nuk është një slogan, kjo është e vërteta. Aleanca për të ardhmen është e vetmja rrugë për Vlorën. Vlora është në rrugën e të ardhmes sepse ne jemi ndryshe dhe modeli ynë funksionon edhe kur na bllokojnë, na godasin, na pengojnë siç është përpjekur të bëjë por më kot Saliu me Tiranën, Vlorën, Fierin, Elbasanin, Durrësin, Beratin dhe kudo ku qeverisin socialistët progresistët me forcën e pasionit tonë politik dhe njëkohësisht mu fuqinë e imagjinatës dhe të vullnetit tonë të palëkundur për tu shërbyer qytetarëve, të gjithë qytetarëve siç ju shërben dhe Shpëtim Gjika këtu në Vlorë.”, tha Rama.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›