E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Në qershor, Samiti i Ballkanit të Hapur në Mal të Zi, do ftohen të gjithë! S’ka kundërshti me Procesin e Berlinit

Në qershor të zhvillohet në Mal të Zi, Samiti i radhës së Ballkanit të Hapur. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Podgoricë, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se në këtë Samit do të ftohen të gjitha shtetet e Rajonit, teksa u kujdes të shtonte se Ballkani i Hapur nuk kundërshton Procesin e Berlinit.

Sipas Ramës, të dyja nismat kanë nevojë për njëra-tjetrën, ndërsa u shpreh shpreh se “nuk mundemi të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit në një proces që është i Ballkanit”.

Samiti i Procesit të Berlinit do të zhvillohet në fillim të vjeshtës në Tiranë, ndërsa kryeministri deklaroi se data do të përcaktohet në një takim që ai do të zhvillojë sëshpejti në Berlin me kancelarin Olaf Scholz.

“Samit i Ballkanit të Hapur në qershor në Mal të Zi ndërkoh që Procesi i Berlinit do ketë Samitin në Tiranë në fillim të vjeshtës, data do përcaktohet në takimin që do kemi së shpejti në Berlin me Kancelarin Scholz. Ballkani i Hapur i domosdoshëm për të jetësuar me një ritëm më të shpejtë të gjitha ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga Procesi i Berlinit. Do të ftohen që të gjithë që të jenë pjesë, nuk ka asnjë kundërshtim mes të dyjave, janë dy nisma që kanë nevojë për njëra-tjetrën. Nuk mundemi të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit në një proces që është i Ballkanit, por duhet të vëmë fuqitë e përbashkëta për të jetësuar ato ide që janë pjesë e Procesit të Berlinit”, u shpreh Rama.

Duke iu përgjigjur kritikëve të këtij procesi, Rama theksoi se asnjë marrëveshje e Ballkanit të Hapur nuk është jashtë kornizës së Procesit të Berlinit.

“Nuk di asnjë marrëveshje të Ballkanit të Hapur që nuk është në kornizën e Procesit të Berlinit. Pse deri para Ballkanit të Hapur nuk ishte realizuar asnjë marrëveshje? Për këtë është Ballkani i Hapur, pastaj kush do të shohë në këtë proces kinezë, rusë dhe marsianë është i lirë t’i shohë. Ballkani i Hapur është një rrugë që i bën më të lehta edhe situatat kur vjen puna te ‘pa kushte’, ‘pa diskutime’ ‘hajde firmos se ndryshe je jashtë’”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ideuan konceptin e Ballkanit të Hapur në vitin 2019 me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të kësaj nisme, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›