Ura që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi kushton 20 mln euro, do paguhet 50 me 50 nga të dy qeveritë

Ura mbi lumin Buna, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi do të kushtojë 20 mln euro dhe pagesa do të jetë 50 me 50 mes qeverive të dy vendeve.
Kjo u bë e ditur në konferencën e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive mbajtur sot paradite në Podgoricë.
Dritan Abazoviç: “Projekti do të kushtojë më shtrejtë sa e kemi menduar. Do të kushtojë 20 milionë euro por nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë. Marrëveshja është ta paguajmë 50 me 50.“
Edi Rama: “Projekti do të paguhet nga të dyja qeveritë. Ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse do të lidhë dy anët e një kufiri që është 300 metra sa është ura.
Projekti është gati dhe kryeministri Rama njoftoi se do të bëhet publik nesër, ndërkohë që do të ngrihet një komision i përbashkët mes dy shteteve për të hapur garën ndërkombëtare.
Dritan Abazoviç: Shpejt do të hapim tenderin për të gjetur financuesin më të mirë.
Edi Rama: Projekti i zbatimit është gati. Sfida është të ndërtojmë një procedurë që është hera e parë që ndodh. Dy qeveritë hapin një garë ndërkombëtare me një komision të përbashkët. Të dyja ekipet juridike të kryeministrive do të angazhohen për të nënshkruar procedurën e garës, do të përcaktohet fituesi e ndërtohet ura.”
Si do bëhet pagesa?
Kryeministri Abazoviç zbuloi dhe detaje si do të bëhet pagesa.
Dritan Abazoviç: “Për herën e parë nuk do të paguhet pjesa e plotë. Kemi biseduar që do të ndajmë pagesën. Pagesa të bëhet për disa vite që të mos jetë e tepruar. Komisioni ndërshtetëror do të bëjë kontrollet në terren. Marrëveshja e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj do të jetë në funksion të kësaj ure.
Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani.
Projekti do të vijojë dhe me një konkurs tjetër ndërkombëtar për të vizionuar të gjithë zonën ndërkombëtare në aspektin e turizmit. Është zonë fantastike delikate që kërkon ndërhyrje jashtëzakonisht precize e kualitet të lartë për ta kthyer në magnet të turizmit.
Lexoni dhe: Shqipëri-Mali i Zi në një dekadë, historia e marrëdhënieve ekonomike e tregtare në prag të marrëveshjeve të reja
/rtsh.al/