E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dhunimi i Milos/ Rama: “Derrat” të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të rajonit! Abazoviç: Profesori, viktimë e incidentit

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Podgorica për dhunën që u ushtrua nga policët kufitarë në kufirin me Shqipërinë, ndaj profesorit Petraq Milo. Rama ka deklaruar se Kryeministri Abazoviç dhe Ministri i Brendshëm, Filip Axhiq i kanë kërkuar ndjesë profesor Milos për ngjarjen e rëndë, ndërsa kanë marrë masat për policët kufitarë. Kryeministri Rama theksoi se “E vetmja arsye që nuk i ka ndodhur Dritanit ajo që ka ndodhur me profesor Petraq Milon, është se Dritani njihet nga krifa e luanit dhe nuk e ngatërron njeri”.

Më tej, Kreu i qeverisë ka ironizuar edhe opozitën e cila ka kërkuar reagim nga qeveria lidhur me dhunën e ushtruar ndaj Profesor Milos, duke thënë se bashkëpunimi në rajon, shërben për t’i lënë më pak hapësirë derrave që të ndërhyjnë në punët e brendshme të rajonit.

“Këto janë raste që ndodhin. Mund të ndodhin dhe në ndonjë rast të shqiptarëve me policisë shqiptare, por janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë në potencë të rajonit, që këto raste mezi i presin që të ndezin flakën nacionalizmit dhe për të kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me fqinjin e radhës. Prandaj ne na duhet bashkëpunim pa kufij. Jo se çdo popull si çdo pyll do të shpëtojë nga derrat e vetë, por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkët aq më pak derrat do ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve tona”, tha Rama.

Kryeministri Abazoviç ka hedhur poshtë deklaratën e bërë më herët se Profesor Milo nuk kishte zbatuar radhën në kufi. Ai tha se Milo ka qenë viktimë e këtij incidenti të cilin e konsideroi si katastrofal.

Teksa kërkoi që çështja të mos politizohej, Abazoviç sqaroi se i ka kërkuar ndjesë Profesor Milos dhe ka marrë të gjitha masat që personat përgjegjës të përballen me ligjin.

“Mua më vjen keq për këtë incident. I kam kërkuar falje profesorit. Janë arrestuar aktorët e këtij incidenti. Më vjen keq që erdhi këtu çështje. Kushdo që vjen në mal të zi është i mirëseardhur. S’dua të politizohet kjo çështje, ka të bëjë me një moment katastrofale ftoj profesorin të vijë dhe çdokush është i mirëseardhur. Ndonjëherë ndodhin dhe kështu gjërash. Ata që kanë përgjegjësi për këtë ngjarje do dënohen, do zbatohet ligji. Mbase ka qenë dhe keqkuptim nga ana ime se dikush ka prishur radhën, kam marrë informacionet dhe profesori nuk ka prishur radhën por ka dashur të vërë rregull. Por u bë viktimë e këtij incidenti. Ato pamje nuk do përsëriten”, tha ai.

Profesor Petraq Milo teksa po priste në radhë me automjet me familjen e tij, për të kaluar kufirin  me Shqipërinë më 15 janar, është dhunuar nga policia malazeze, video e cila u bë publike nga mediat malazeze.

Dy punonjësit e policisë malazeze që u arrestuan pas ngjarjes, u liruan, për t’u hetuar në gjendje të lirë. Ndërkohë Komiteti i Helsinkit dënoi menjëherë dhunën e ushtruar nga policia malazeze, duke e konsideruar të turpshme dhe të papranueshme, teksa kërkoi edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm malazez, Filip Axhiq.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›