E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nesër PS në kuvend, për hapjen e kutive

“Nesër ne do të jemi në Parlament, por jo për të ndenjur pa u hapur kutitë. Duam të zbardhim krimin elektoral. Bota mbarë kërkon hetim parlamentar të plotë dhe të hollësishëm” theksoi Rama.

“Nuk duam rinumërim për të ndryshuar rezultatin, nuk duam fitore në tavolinë, por transparencën e plotë të zgjedhjeve” tha kryesocialisti gjatë konferencës.

Rama zyrtarizoi faktin se që nesër deputetët socialistë do të thyejnë bojkotin për të hapur kutitë e votimit pa u tërhequr nga kërkesa për zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve.

“Ne nesër do t’i japim një zgjidhje të qartë krizës, kemi gati çelësin e kthimit të opozitës në Parlament, por i takon maxhorancës, të vendosë nëse e do apo jo opozitën në Parlament” u shpreh kryesocialisti.

“Do t’ia dalim deri në fund duke përfaqësuar vullnetin e popullit që na ka zgjedhur. Nëse pushteti nuk do të dëgjojë zërin tonë, Marsi do të jetë muaji i ngritjes së opozitës popullore në një valë protestash” tha Rama.

Mbledhja e grupit socialist është vendosur në orën 18:00 ndërsa nesër në orën 17.00 zhvillohet seanca e radhës e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›