E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nga 300 euro për naftën, me skemën e re deri në 10 mijë euro për fermerët

TIRANË, 11 prill /ATSH/  Kryeministri Edi Rama sot zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët në Krutje, ku diskutoi mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori, ku synohet arritja e një standardi të përgjithshëm prodhimi për tregun e madh të BE-së.

Gjatë bisedës me fermerët, kryeministri Rama tha se mbështetja për fermerët me skemën e re do të arrijë deri në 45–50 milionë euro, në varësi të faturimit.

Sipas Ramës, kur në skemë paguhej nafta, mbështetja ishte afërsisht rreth 300 euro, ndërsa me skemën e re ajo arrin deri në 7, 8 apo 9 mijë euro për fermerë.

“Për naftën që për disa vite ne dhamë mbështetjen direkte, ne kemi shpenzuar 15 milionë euro që mund të ketë pasur momente ka shkuar dhe 18, 17 po 15 milionë euro. Tani, 15 milionë euro është dyshemeja që ne parashikojmë nga fatura, dyshemeja, por mundësia është që kjo të shkojë në 45- 50 milionë euro, në varësi nga sa juve do merrni faturën dhe do dorëzoni faturën. Pa faturë s’ka, thjesht, se janë në fund të ditës para të cilat nuk mund të thuash ‘’s’kam faturë, më jep lekët se merrja taksat të tjerëve, më jep mua’’. Jo, po nga fatura mund të shkojë deri në 50 milion euro që do t’i japë qeveria. Nuk kanë lidhje fare me këto të tjerat. Këto të tjerat janë veç, qeveria. Pra, se po duhet t’i përgjigj asaj që tha Dhimo, që sa do i marrim ne ato lekë.

“Do t’i merrni ato lekë një për një se kështu është parashikuar. Pra nga buxheti i shtetit, por janë faktikisht lekë që janë të ardhura nga shitja juaj, pra nga TVSH-ja. Kështu që të jemi shumë të qartë për këtë. Nuk është se do t’i nxjerrim ne nga diku tjetër. Nga ky cikël shitjeje, nuk do t’i mbajmë, nuk do t’i marrim dhe t’i lëmë në buxhetin e shtetit, por do t’ia japim mbrapsht 10%-in në momentin që ju do paraqisni faturën. Është më e thjeshtë se kaq, unë s’di si ta them. Dhe këtu hyn dhe llogaria e gjithsecilit. Merrje 300, 300 euro me naftën, do marrësh 7.000, 8.000, 9.000, 10.000 euro”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se më të përfituarit janë gjithmonë fermerët që bashkohen.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›