Rama: Rritëm ndjeshëm pagat dhe të ardhurat për frymë

TIRANË, 11 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së Lushnjë, solli në vëmendje disa statistika që dëshmojnë rritjen ekonomike në vend.
“E kemi filluar punën me 300-400 milion mesatarisht investime të huaja, kemi shkuar mbi 1.5 miliard. E kemi filluar punën me 2 milion e ca turistë. Gjithë shqiptarët që dilnin jashtë kur futeshin në Rinas ose në Kakavijë i numëronin për turistë, 2 milion e ca ju dilnin.
12 milionë me pasaportë të huaj kemi arritur ne të kemi në Shqipëri”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri kujtoi se kjo mazhorancë e ka marrë vendin me një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar nën 10 miliardë, ndërsa sot jemi 27 miliardë dhe në 2030-n do shkojmë 35 miliardë.
“E kemi marrë me më pak se 3000 euro për frymë, sot jemi 11 mijë e 300 mos gabohem për frymë. E kemi marrë me një me një pagë mesatare qesharake. Sot kemi pagën e përgjithshme mesatare 870 euro se rritet në mënyrë të vazhdueshme paga mesatare për shkak se rritet në sektorin privat dhe duhet me i ndjek çdo tre muaj ndërkohë që në sektorin publik ka shkuar mbi 1000 euro”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi se janë rritur pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të policisë, të ushtarakëve, të administratës.
“Sot kemi futur dhe për pagat indeksimin, gjë që e dinim që ishte i nevojshëm, por nuk e bënim dot. Indeksimin e bënim vetëm për pensionet, se nuk mund t’i linim pensionistët pa rritje pensionesh dhe pa indeksim, se i binte që t’i linim në këmbët e inflacionit dhe prandaj kur rritja e pagës ishte x, inflacioni sado që e kemi pasur gjithmonë të ulët, e ulte fuqinë blerëse. Sot s’ka më, sot çdo pagë ka edhe indeksimin e inflacionit”, shtoi Rama.
/a.f/