E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk heqim dorë nga hapja e kutive

Opozita proteston në Durrës për gjendjen ekonomike në vend. Rama u shpërndan ftesa qytetarëve


DURRËS- "Jam Edi Rama, mirëdita mirëmbrëma sipas vaktit ju ftojmë që të merrni pjesë në protestën tonë të 30 prillit". Ka qenë kjo telefona, që kanë marrë dje qindra qytetarë anembanë vendit nga vetë kryetari i opozitës, Edi Rama. Ky i fundit ka gjetur një mënyrë origjinale për të ftuar qytetarët në shesh, ndërkohë që gjatë gjithë ditës, kryetari i opozitës është angazhuar në takime të shumta me qytetarët për ti ftuar ata në protestën e ditës së premte.


Kështu dje në mesditë, ai ka zhvilluar takime spontane derë më derë në zonën e Shkozës. Gjatë këtyre takimeve individuale me banorë të periferisë së kryeqytetit, Kryetari Rama ka dëgjuar rrëfimet e banorëve për problemet kryesisht ekonomike me të cilat përballen përditë.


Rama me fletëpalosje në duar u ka shpërndarë personalisht banorëve ftesa pjesëmarrjeje në protestën e madhe në 30 prill në Bulevardin e Tiranës. Ndër shqetësimet kryesore të banorëve ishin faturat e shtrenjtuara të energjisë, faturat e shtrenjtuara të ujit, ilaçet që pensionistët marrin pa rimbursim, papunësia e shumë të tjera.


Po dje, kryetari i opozitës, Edi Rama, zhvilloi një protestë në qytetin e Durrësit, ku ka përforëcuar qëndrimin e PS-së për hapjen e kutive. "Shumë kush pyet se pse opozita vazhdon të këmbëngulë për hapjen e atyre kutive.


Dikush më thoshte para pak ditësh se tanimë të gjithë e kemi marrë vesh se Sali Berisha i ka vjedhur votat, tani më i gjithë populli e di që zgjedhjet nuk ishin të lira e as të ndershme. Por tanimë mbase ka ardhur koha që ti lini pas kutitë. Problemi është që duke lënë pas kutitë ne në fakt do të linim pas një krim i cili duhet zbardhur.


Sepse në qoftë se ai krim nuk zbardhet e në qoftë se ne i lëmë kutitë pas, si një çështje e mbyllur, atëherë përsëri në zgjedhjet e ardhshme do të gjenim para të njëjtin mekanizëm korrupsioni, që siç tjetërsoi votën në 28 qershor, do ta tjetërsoj përsëri votën",- tha Rama, i cili është ndalur më pas edhe në krizën ekonomike në vend. Ndërsa deputeti i PS-së për këtë qark, Blendi Klosi deklaroi se protesta do të fillojë në 30 prill dhe do të mbarojë "atëherë kur Sali Berisha të mos jetë më kryeministri i Shqipërisë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›