Gjyqtarët, kriteret e PS-së për kandidaturat

Grupi i PS-së do të kthehej në Kuvend për të votuar emrat e rinj, nëse do të miratoheshin me shumicë të cilësuar
TIRANË - Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë përbën për socialistët një proces tepër të rëndësishëm nga dhe ku varet direkt reformimi i sistemit të drejtësisë dhe forcimi i besimit të qytetarëve dhe klasës politike tek këto institucione.
Për këtë arsye, Partia Socialiste ka reaguar dje lidhur me përzgjedhjen e 10 gjyqtarëve të rinj që do të emërohen në këto dy gjykata, duke i kërkuar kreut të shtetit që ky proces të jetë transparent dhe konform të gjitha standardeve dhe kërkesave që parashikon ligji, në mënyrë që emrat e përzgjedhur të jenë të jenë sa më profesionistë dhe të pandikuar politikisht.
Ka qenë sekretari për çështjet ligjore në PS, deputeti Fatmir Xhafaj, ai që ka shprehur qëndrimin zyrtar të kësaj force për emërimet e 6 gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 të tjerëve në Gjykatën e Lartë, duke bërë të ditur që në fillim se forca që ai përfaqëson do të mbështeste edhe një ndryshim të ligjit për të bërë të detyrueshme që kandidatët që do të propozohen nga Presidenti i Republikës të miratohen me shumicë të cilësuar votash, çka nënkupton që miratimi i tyre të ketë konsensusin e të gjitha palëve.
"Partia Socialiste angazhohet solemnisht se do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidencialë nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar", - tha Xhafaj, duke lënë të kuptohet qartë se grupi parlamentar socialist do të kthehej në parlament për të votuar emrat e rinj, nëse mazhoranca do të ishte e gatshme që të bënte një ndryshim të tillë ligjor.
Megjithatë, për sa kohë ndryshimi i një praktike të tillë votimi mbetet peng e vullnetit të forcave politike, PS-ja përshëndet konsultimet që po kryen Presidenti i Republikës për përzgjedhjen e këtyre kandidaturave, por duke i kërkuar në të njëjtën kohë atij që ky proces të jetë transparent. "Partia Socialiste vlerëson të dobishme iniciativën e Presidentit të Republikës, për konsultime me personalitete dhe ekspertë të pavarur të jurisprudencës dhe të misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri për standardet e përzgjedhjes dhe kriteret e nevojshme që duhet të përmbushen nga kandidatët.
Partia Socialiste e konsideron shumë të rëndësishme që ky proces konsultimi të jetë real, transparent dhe efektiv", - tha më tej Xhafaj. Por, ky konsultim me ekspertët e pavarur në sferën e së drejtës, sipas tij nuk do të ishte i mjaftueshëm, nëse ky proces nuk shoqërohet me një transparencë të plotë në përzgjedhjen e kandidaturave, me vendosjen e kritereve të ndershme dhe të drejta për seleksionimin e tyre, me ballafaqimin e kandidaturave të përzgjedhura me publikun, me qëllim ecurinë dhe finalizimin me sukses të këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Duke renditur kriteret që duhet të përmbushin emrat e rinj që do të përzgjidhen prej kreut të shtetit për këto vende në këto dy gjykata, selia rozë ka konfirmuar se ata duhet të jenë, së pari, profesionist në fushën e së drejtës, si dhe të kenë integritetin e duhur moral që të mos krijojnë mundësinë e nënshtrimit përballë presioneve që mund të vijnë, si nga politika ashtu edhe nga fusha të tjera.
"Partia Socialiste shpreson se juristët që do të promovohen dhe përzgjidhen si kandidatë duhet të karakterizohen para së gjithash nga vlera të spikatura profesionale në fushën përkatëse, të jenë individë që kanë shprehur integritet të lartë moral dhe profesional gjatë karrierës së tyre, të tillë që garantojnë se janë të aftë të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, të pandikuar nga çdo lloj presioni politik dhe korruptiv", - u shpreh Xhafaj.
Në të kundërt, PS-ja gjykon se anashkalimi nga këto kritere do të bënte që sistemi i drejtësisë në vend të pësonte një goditje, që do të ndikonte direkt në kredibilitetin e këtyre institucioneve në sytë e shqiptarëve dhe të huajve.
"Çdo shmangie prej standardeve kushtetuese dhe morale në procesin e përzgjedhjes, dekretimit dhe emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, jo vetëm do të komplikonte të nesërmen e këtyre dy institucioneve, por do të kishte një ndikim të padëshiruar në të gjithë sistemin e drejtësisë në vend si dhe do të komprometonte rëndë reformën e mundimshme dhe jo gjithmonë të suksesshme në sistemin e drejtësisë", - tha deputeti Fatmir Xhafaj. Ndërkohë që dje ka mbërritur në tre numri i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që u ka mbaruar mandati kushtetues.
Pas Kujtim Putos, ka qenë radha e Fehmi Abdiut dhe Sokol Sadushit që u ka mbaruar mandati. Megjithatë, shpallja e përfundimit të mandatit pritet të bëhet në një seancë sa më të afërt nga vet gjykata.