E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE: Zgjidhni krizën dhe rifilloni dialogun

Mblidhet Byroja e APKE-së


"Zgjidhja të marrë edhe mbështetjen e popullit"

STRASBURG- Kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës, që vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur, ka detyruar sërish faktorin ndërkombëtar që të apelojë për daljen nga kjo situatë. Për këtë arsye, Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës u mblodh dje në Strasburg duke u kërkuar forcave politike shqiptare që të zgjidhin krizën politike dhe të rifillojnë dialogun politik në Parlament.


Duke iu referuar situatës politike, e cila pritet të tensionohet edhe më tej midis mazhorancës dhe opozitës, gjatë protestave dhe manifestimeve në datat 30 prill dhe 1 maj, Byroja e APKiE-së u bën thirrje partive politike që të rinisin dialogun midis tyre dhe për më tepër, të marrin mbështetjen e popullit në këtë proces.


"Duke patur parasysh këtë bllokim të situatës, si dhe faktin se si manifestimet e partive të opozitës dhe ato të partisë në fuqi duhet të zhvillohen më 30 prill dhe 1 maj 2010, Byroja e Asamblesë i bën thirrje të gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda Parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik",- thuhet në deklaratën e APKE-së.


Në deklaratën e saj, Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thekson se dialogu politik midis forcave politike duhet rifillojë, pasi nevojitet funksionimi i institucioneve demokratike, me qëllim që Shqipëria të kryejë reformat për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.


Byroja vë në dukje gjithashtu, se mbetet ende në fuqi propozimi i Këshillit të Evropës, që opozita t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë opinionin e Komisonit të Venecias, për rihapjen e kutive të votimit. Megjithatë, qëndrimi i opozitës në këtë rast është i njohur.


Partia Socialiste e ka shfaqur që më parë qëndrimin e saj, se KiE-ja mund t'i drejtohet vetë Komisionit të Venecias për të marrë opinionin mbi situatën politike, ndërsa opozita kërkon hapjen e kutive nëpërmjet komsionit parlamentar i shoqëruar edhe me vullnetin e shumicës në pushtet. "Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit.


Duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të shtetit, me qëllim që të çojë përpara reformat urgjente të nevojshme për integrimin Evropian të vendit. Byroja sjell në vëmendje gjithashtu mundësinë, tashmë të përmendur gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me qëllimin e hetimit që do të zhvilohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit",- citohet më tej në deklarat


Në deklaratën e saj, Byroja i bën një përmbledhje situatës politike në vend si dhe vizitës së delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në muajin shkurt, duke shprehur edhe një herë shqetësimin për moszgjidhjen e krizës politike, pavarësisht rikthimit të pjesshëm të opozitës në Parlament.


"Byroja e Asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në Qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar",- nënvizohet në deklaratë.


Por, pavarësisht këtyre thirrjeve të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar dhe vizitave të shumta të përfaqësueseve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, kriza politike vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur, ndërsa në fundin e këtij muaji forcat politike do të përballen midis tyre në mitingje dhe antimingje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›