E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk morëm drejtësinë që kërkuam

Nuk morëm drejtësinë që kërkuam. Kështu e komentoi dje Edi Rama vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, që pranoi pjesërisht padinë e Partisë Socialiste për procesin zgjedhor në Tiranë. Në vlerësimin e kreut të opozitës është dëgjuar një vendim i turbullt, ku duket se pranohen një pjesë e pretendimeve të paditësit, por vuloset po ashtu padrejtësia që e degjeneroi procesin pas numërimit publik të votave që e nxori fitues. Duke ju drejtuar opinionit publik, Rama këmbënguli se kolegji s’pati kurajën të shohë në sy të gjithë të vërtetën, po njëkohësisht nuk mbylli plotësisht sytë përpara rezultatit të manipuluar të KQZ-së, që nxori humbësin fitues dhe nuk pranoi ta vulosë atë. “Sot procesi është rikthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral, aty ku u grabit fitorja jonë në sytë e të gjithëve dhe ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati jo vetëm me më shumë vota sesa zgjedhës, por edhe me më shumë vota sesa tërësia e fletëve të votimi të gjetura në kuti”, u shpreh Rama. Duke insistuar se socialistët do t’i qëndrojnë deri në fund asaj që kanë thënë, Rama sqaroi se rruga ligjore do vazhdojë të ndiqet, pavarësisht se sipas tij, në KQZ nuk pritet asgjë tjetër përveç vazhdimit të kanibalizmit me votat e qytetarëve dhe me kutitë ku ata kanë votuar. Në këndvështrimin e Ramës, ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se grabitësit e dhunshëm të këtyre zgjedhjeve mund t’i shpëtojnë shumë gjërave dhe mund të dhunojnë hapur në ditën për diell edhe vetë aritmetikën, për të vulosur si fitore një humbje që e pa dhe e di gjithë bota, po asnjëherë ky popull s’do t’i shohë ata si fituesit e 8 majit të shkuar në Tiranë. “Ne fituam në fushën e garës dhe si fitimtarë në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, kemi të gjithë përgjegjësinë për të ndërtuar aksionin e mëtejshëm opozitar në funksion të shpëtimit të demokracisë, të çlirimit të drejtësisë, të rimëkëmbjes së ekonomisë”, këmbënguli Rama. Ky proces i pashembullt paligjshmërish të vulosura me dhunë, që ka marrë peng frymën e gjithë vendit dhe ka humbur çdo integritet e besueshmëri, shtoi Rama, është një shembull kuptimplotë, në sytë e të gjithëve, për domosdoshmërinë e largimit, një orë e më parë, të këtij pushteti dhe sigurisht një arsye e madhe më shumë, për ta vijuar betejën opozitare në çdo front me pasion, durim e besimin e palëkundur që na jep e drejta që kemi me vete. Reagimi ndaj vendimit të Kolegjit, këtë herë ishte më i butë se sa një javë më parë kur ky institucion kishte rrëzuar padinë e socialistëve. Pas atij vendimi, Rama qe shprehur se “Kolegji Zgjedhor ka bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë, duke sfiduar në korr me Saliun e me Ristanin sovranitetin e popullit, Kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, opinionet e shqetësime publike të misionit të ODIHR-it si edhe të të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë”. Rama akuzoi në atë moment Kolegjin se me vendimmarrjen e tij ka dëshmuar edhe njëherë, se fjala drejtësi në Shqipëri është zbrazur, mu si një guackë e mbetur mbi rërën e rrëshqitshme ku sipas rastit, dallgët e presioneve të pushtetit a të ryshfetit, e kthejnë mbarë e mbrapsht guackën sipas interesash e qëllimesh që bien ndesh me drejtësinë. Duke e cilësuar vendimin të papranueshëm, Rama kërkoi ekspertizën ndërkombëtarë për të garantuar përputhjen e vendimmarrjes ligjore me standardet e botës demokratike. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›