E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mediu”, Gjykata e Lartë rrëzon familjarët e Gërdecit

Tiranë- Gjykata e Lartë ka rrëzuar dje kërkesën e familjarëve të viktimave të Gërdecit, për regjistrimin e emrit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në regjistrin e kërkesave për autorizim, me qëllim procedimin e tij penal. Kolegji Penal, me relator gjyqtarin Medi Bici e konsideroi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë, duke vendosur kështu rrëzimin e saj. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, përfaqësuesit e Shoqatës Familjarët e Viktimave të Gërdecit kërkuan nga Gjykata e Lartë që emri i ish-ministrit të shënohej në regjistrin e kërkesave për autorizim dhe të procedohej me kërkesën drejtuar Kuvendit, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Kjo kërkesë e familjarëve të viktimave, që shkaktoi shpërthimin tragjik të 15 marsit të vitit 2008, është bërë në kuadër të të drejtave që kanë të dëmtuarit nga vepra penale, siç janë në këtë rast edhe familjarët e viktimave. Gjatë kërkesës së tyre, përfaqësuesit ligjorë të familjarëve të viktimave kërkuan shprehimisht nga gjykata: “të procedojë me regjistrimin e emrit të shtetasit Fatmir Ali Mediu në regjistrin e kërkesave për autorizim për procedim në bazë të nenit 288 të K.pr.penale dhe të kërkojë autorizimin për procedim në bazë të nenit 288 të K.Pr.Penale”. Kjo kërkesë i është drejtuar më herët edhe Gjykatës së Tiranës, por gjatë shqyrtimit gjyqësor kjo gjykatë vendosi të shpallë moskompetencën, pasi kërkuesit hoqën dorë nga njëra prej kërkesave, e cila kishte si objekt detyrimin e organit të akuzës për dhënie informacioni në lidhje me kërkesat e vazhdueshme që familjarët kishin bërë në Prokurorinë e Përgjithshme. Duke qenë se përfaqësuesit e familjarëve të viktimave kufizuan kërkesat e tyre vetëm në drejtim të ish-ministrit të Mbrojtjes, shkalla e parë shpalli moskompetencën duke e dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ditën e djeshme, Kolegji Penal vendosi të rrëzojë një kërkesë të tillë, ndërsa pala kërkuese ende nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme. Përfaqësuesit e kësaj shoqate i kanë kërkuar organit qendror të akuzës marrjen si të pandehur të ish-ministrit, kërkesë kjo e cila nuk ka marrë një përgjigje zyrtare, qoftë edhe negative. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›