E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: Numërimi i fletëve kërkon një javë kohë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve komentoi dje vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet në Tiranë.

Z. Ristani, si e konsideroni vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor?

Kolegji kërkon një hetim të mëtejshëm të çështjes, për të shkuar më tej, me hapjen edhe të kutive të tjera, të cilat nuk janë hapur nga ne deri më tash. Më duhet të nënvizoj një element: është fakt i pakundërshtueshëm se, gjatë gjithë procedurës që u krye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar më këmbëngulje subjekteve politike që të paraqesin para tij, çdo pretendim të tyre, pasi vullneti ynë i plotë ka qenë për ta kryer këtë procedurë me iniciativën tonë, para se ta urdhëronte Kolegji Zgjedhor. Por, më mirë akoma, në këto kushte që jemi, do të procedojmë me hapjen e të gjitha kutive, sikundër parashikon vendimi i Kolegjit, do të vlerësojmë të gjitha fletët që nuk janë hedhur në kutinë e duhur, do t'i numërojmë ato dhe do t'i tabulojmë në tabelën përmbledhëse, kryesisht, për kryetarin e Bashkisë Tiranë

Z. Ristani, kur do të filloni procedurën?

Ne do të fillojmë nga puna sapo të na vijë zyrtarisht arsyetimi i Kolegjit Zgjedhor. Pa këtë vendim është e pamundur të fillojmë, pasi na duhet të dimë me saktësi vendimin dhe çfarë synon konkretisht Kolegji me këtë urdhërim.

Në këto kushte do të duhet që kryetarin e Bashkisë Tiranë ta certifikojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve?

Kryetari i Bashkisë Tiranë është certifikuar tashmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është një proces i mbyllur nga ana e Komisionit. Ajo që kërkohet, me aq sa ne jemi në dijeni, është praktikisht vijimi i procesit ankimor, që është në zhvillim.

A do të kemi riformatim të tabelës përmbledhëse?

Sigurisht që do të riformatohet tabela përmbyllëse e rezultatit, por sikundër e theksova, KQZ e ka dhënë tashmë një vendim, duke certifikuar kryetarin e Bashkisë Tiranë, pavarësisht, cili është ai pasi kjo nuk është në interesin e punës së KQZ. Ka një proces ankimor, në fund të të cilit mund të ketë ndryshime të tjera ose jo, por është një aspekt që nuk ka rëndësi për ne. Ajo që është e rëndësishme është se kemi ndjekur një procedurë, tashmë të vërtetuar si ligjore, e drejtë dhe e saktë edhe nga Kolegji Zgjedhor.

Nga kush do kryhet numërimi i kërkuar nga Kolegji Zgjedhor?

Numërimi do të kryhet nga KQZ-ja, grupe numërimi të ngritura nga administrata e KQZ.

Sa mendoni se do të zgjasë ky proces?

Është e vështirë ta them, por ndoshta në kufijtë e një jave.

Është një vendimmarrje ku duhen 5 vota në KQZ apo vendimmarrje e thjeshtë?

Vendimi merret me shumicë të thjeshtë.

A do të kemi rakordim të numrit të votuesve me fletët e votimit?

Është e nevojshme të shohim se çfarë ka urdhëruar konkretisht Kolegji Zgjedhor, por besoj se ne do të bëjmë një rakordim të plotë.

A ka ndonjë lloj paqartësie nga ana e KQZ-së, lidhur me fletët e hedhura në kutinë jo të duhur me fletët e votimit të kontestuara?

Nga ana jonë nuk ka asnjë paqartësi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë gjithmonë i qartë në procedurën e ndjekur prej tij. Ne kemi kërkuar për fletët e vlefshme të votimit, kudo ku ato janë ndodhur, si në zarfin e fletëve të pavlefshme, ashtu dhe në atë të fletëve të votimit të kontestuara. Paqartësitë kanë ekzistuar te KZAZ-të gjatë zhvillimit të procesit, paqartësi të cilat detyruan komisionin që të ndrynte për të zgjidhur situatën. Por, nga ana jonë nuk ka pasur as dhe për një çast të vetëm, as edhe një paqartësi sado të vogël, lidhur me këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›