E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Objektiv për eksportet e teknologjisë të shkojmë në 1 miliardë euro brenda kësaj dekade

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria synon të arrijë në 1 miliard euro eksportet e teknologjisë deri në vitin 2030, duke e cilësuar këtë objektiv të realizueshëm përmes mbështetjes së vazhdueshme ndaj start up-eve dhe sektorit të teknologjisë.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri, Rama tha se këtë vit është shënuar një rritje e ndjeshme e interesit për programet e mbështetjes së start up-eve, ndërsa fondi në dispozicion të tyre është dyfishuar.

Kryeministri shtoi se qeveria synon të vijojë rritjen e fondit edhe vitin e ardhshëm, nëse trendi i aplikimeve dhe zhvillimit të sektorit do të jetë i njëjtë.

“Objektivi ynë për eksportet e teknologjisë është të shkojmë në 1 miliardë euro brenda kësaj dekade, 2030-s. Është e mundshme dhe për këtë arsye ne do vazhdojmë të fuqizojmë mbështetjen për start up-et. Më vjen shumë mirë që këtë vit kemi pasur një kapërcim të madh në aplikime, por kemi bërë dhe një dyfishim të fondit për mbështetjen e start up-eve. Ndërkohë që të njëjtën gjë duam të bëjmë vitin e ardhshëm në rast se do të paraqitet i njëjti trend nga ana e sektorit”, tha Rama.

Rama u ndal gjithashtu edhe tek ajo që e cilësoi si “presion” të ushtruar nga disa start up-eve përmes portaleve mediatike.

“Më vjen keq për një lloj presioni gjobëvënës që u ushtrua ndaj një numri start up-esh nga portale të mirënjohura dhe famëkëqija për vendosje gjobash nën maskën e shtypit të lirë, por në këtë pikë nuk mund t’iu qaj hallin sepse në një farë mënyre më duket shumë pak ajo që hani ju në krahasim me atë që ha vetë. Kështu që adaptohuni dhe shkoni përpara. Këshilla ime është ‘’mos u merrni fare me to, as mos i lexoni’’. Shkruhen ekzaktësisht për t’ju shqetësuar dhe për t’ju bërë që të kërkoni kontaktin për të paguar gjobën, gjobën kriminale, por përndryshe s’kanë asnjë efekt tjetër. Më besoni për këtë”, tha ai.

Kreu i qeverisë shtoi gjithashtu se janë bërë disa “pilotime midis institucioneve shtetërore dhe kompanive private në sektorin e turizmit, të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të financës, në mënyrë që të nxisim inovacionin dhe të nxisim rritjen e përdorimit të teknologjisë në këta sektor kyç”.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›