E Diel, 1 Nëntor 2026

AKU intensifikon kontrollet për sigurinë ushqimore pranë shkollave

TIRANË, 8 shtator /ATSH/  Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar inspektimet në të gjithë vendin, në kuadër të paketës së “Sigurisë në shkolla”.

Kontrollet po zhvillohen në subjektet ushqimore pranë institucioneve arsimore, përfshirë fast-food, byrektore, piceri, markete dhe pika të tjera tregtimi, si dhe në kopshte, shkolla e çerdhe ku përgatitet ushqim.

Sipas AKU-së, inspektimet synojnë verifikimin e respektimit të kërkesave për sigurinë ushqimore, me fokus te kushtet e higjienës, afatet e përdorimit të produkteve, gjurmueshmëria, kushtet higjieno-sanitare dhe etiketimi i produkteve ushqimore.

Në kuadër të kontrolleve po kryhet edhe marrja e mostrave për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të produkteve ushqimore.

AKU thekson se masat synojnë krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit, duke parandaluar rreziqet që lidhen me ushqimet e tregtuara dhe të konsumuara pranë institucioneve arsimore.

Në vijim të inspektimeve, AKU do të zhvillojë edhe fushata ndërgjegjësuese me operatorët e biznesit ushqimor, si dhe fushata informuese në sistemin parauniversitar, me fokus respektimin e rregullave të sigurisë ushqimore dhe nxitjen e zgjedhjeve të sigurta ushqimore.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›