Rama: Shqipëria po ndërton sistemin e parë 360 gradë të prokurimit publik me IA

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Shqipëria po punon për ndërtimin e sistemit të parë 360 gradë të prokurimit publik me Inteligjencë Artificiale, ndërsa paralelisht po përgatitet kalimi në gjeneratën e dytë të platformës e-Albania, e-Albania 2.0, me standarde të reja shërbimi dhe me një aksesueshmëri shumë më të lehtë.
Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus Inteligjencën Artificiale dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Shqipëri.
Kryeministri u shpreh se transformimi digjital i administratës publike vijon në mënyrë të përditshme, ndërsa tashmë synohet zgjerimi i përdorimit të Inteligjencës Artificiale në fusha të tjera të administrimit.
“Të gjitha këto janë pjesë e një procesi që vazhdon në mënyrë të përditshme. Diella tanimë është konsoliduar dhe ne po punojmë për të shtrirë modulin me fëmijët e Diellës edhe në zona të tjera të administrimit publik”, deklaroi ai.
Rama u ndal edhe te marrëdhënia mes sektorit publik dhe kompanive private të teknologjisë, duke argumentuar se transformimi i shpejtë digjital i administratës ka krijuar një varësi të kompanive nga buxheti i shtetit.
“Pas eksperiencës negative që ne kaluam me AKSHI-n, për shkak të disa qasjeve jo në linjë me standardet ligjore dhe etike të disa kompanive, dhe këtu unë nuk kam parasysh thjesht çfarë u shfaq në publik, por kam parasysh edhe diçka tjetër, standardet shumë të ulëta të kompanive private të mësuara që të mjelin buxhetin e shtetit me shërbimet e tyre në aspektin e ofrimit të mirëmbajtjes”, tha Kryeministri.
Sipas Ramës, synimi është dhënia fund e kësaj varësie dhe orientimi i kompanive private drejt zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja, duke nxitur kërkimin dhe inovacionin.
“Ne mendojmë që dhënia fund e kësaj varësie është edhe një kontribut për rritjen e kërkimit dhe të inovacionit në Shqipëri dhe, si të thuash, mbyllja e rrugës së asaj varësie do t’i kthejë shumë kompani me sy nga vetja dhe me sy nga sektori privat”, u shpreh Rama.
Në këtë kuadër, Kryeministri njoftoi se është krijuar një kompani publike, me synimin që shërbimet publike të mbulohen gradualisht prej saj, duke fuqizuar kapacitetet e brendshme të shtetit.
Ai theksoi se forcimi i kapaciteteve “in-house” të shtetit do të shoqërohet me nxitjen e kompanive private për të zhvilluar biznesin e tyre në tregun privat.
“Kështu faktikisht do fuqizojmë nga njëra anë kapacitetin ‘in-house’ të shtetit për sa i përket shërbimeve dhe për sa i përket moduleve të nevojshme për funksionet shtetërore me ndihmën e teknologjisë dhe do nxisim kompanitë private që të gjejnë rrugët e reja dhe të rriten dhe të fuqizohen duke bërë biznesin e tyre privat”, tha ai.
Rama sqaroi se modeli i ri nuk përjashton partneritetet me kompanitë private, por ato do të orientohen drejt zgjidhjeve të reja dhe inovative për sektorin publik.
“Natyrisht që kjo nuk përjashton që në proces ne të kemi bashkëpunime, që kompania publike të bëjë partneritete me kompani të caktuara private që mund të kenë zgjidhje të reja për sektorin publik, por zgjidhje të reja inovative, jo o burra tek kalendari i tenderave të buxhetit të shtetit. Kjo nuk bën më asnjë sens dhe besoj që është e qartë për të gjithë”, theksoi Kryeministri.
/e.xh/a.f/