Rama: Operatorët e rinj për ujin dhe mbetjet nisin punë në janar 2026

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht Operatorin Kombëtar për Prodhimin e Ujit, një nismë e re e qeverisë që synon të përqendrojë përpjekjet kombëtare për menaxhimin efikas të burimeve ujore dhe garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët.
Kryeministri iu përgjigj kritikëve që kanë kundërshtuar ndërhyrjet në burimet ujore si Shushica dhe degë të lumit Vjosë, duke theksuar se qëllimi i vetëm i këtyre projekteve është përmirësimi i jetës së banorëve dhe jo shkatërrimi i natyrës.
“Ka nga ata që flasin anglisht për Vjosën dhe burimet e saj, që thonë se po thajmë Shushicën për të furnizuar me ujë Himarën. Ata duhet ta kuptojnë – edhe pse nuk do ta kuptojnë kurrë, sepse jetojnë me këtë punë dhe marrin fonde për këtë – se prioriteti ynë është furnizimi me ujë i popullsisë”, u shpreh Kryeministri.
Ai shtoi se investimet nuk janë bërë në mënyrë të papërgjegjshme, por pas monitorimesh të detajuara që kanë zgjatur me muaj.
“Në Shushicë kemi bërë monitorim 9 muaj, ditë për ditë. Shifrat janë kokëforta. Nuk është projekt në hava. Ne nuk bëjmë projekte, por ekspertët i bëjnë, dhe projekti është i drejtë”, deklaroi Rama.
Rama solli si shembull konkret ujësjellësin e Tragjasit, që aktualisht është në ndërtim dhe do të furnizojë një komunitet që për vite me radhë ka vuajtur mungesën e ujit të pijshëm.
“Tragjasi nuk kishte ujë. Bërtisnin për burimin si të ishte ndonjë kuçedër që vinte e thante ujin. Por realiteti është që investimi bëhet për njerëzit që kanë të drejtë të jetojnë me dinjitet dhe me shërbime bazë. Shifrat janë kaq kokëforta dhe kaq kuptimplota sa nuk ka më asnjë diskutim që projekti ishte i drejtë, se ne nuk bëjmë projekte, projektet i bëjnë ekspertët, jo se ishte një projekt që financohej nga qeveria, por sepse ishte një projekt i bërë mbi monitorimit e burimit, nuk ishte një projekt i bërë në hava. Duhet ta kuptojnë shumë mirë njerëzit dhe sidomos ata që janë në zonat më të vështira, që ata janë drita e syve të qeverisë. Nuk ka qeveria dot kurrë qëllime të errëta ndaj tyre dhe nuk bën vaki që qeveria t’ua heqë njerëzve të zakonshëm për t’ua dhënë, siç thonë, jo një oligarku, jo dy oligarkëve – që oligarkë në Shqipëri nuk ka – por ka mbetur dhe kjo “oligark në Shqipëri”. Nuk bën vaki kjo”, theksoi ai.
Pas ngritjes së operatorit për ujin, Kryeministri njoftoi edhe fillimin e një reforme tjetër madhore: ngritjen e Operatorit Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve.
Bashkitë do të vijojnë të merren me grumbullimin e mbetjeve, ndërsa trajtimi i tyre do të kalojë nën administrimin e një strukture të centralizuar dhe profesionale.
“Kemi parë situata qesharake dhe katastrofike për shkak të mungesës së kapaciteteve. Kjo duhet të marrë fund. Do të kemi një qasje të integruar për mjedisin, për gjelbërimin, për zonat e banuara dhe të mbrojtura”, tha ai.
Kryeministri kritikoi ashpër fenomenin e ndotjes, duke vënë në dukje se shqiptarët vetë janë shkaktarët kryesorë të ndotjes rrugore dhe mjedisore, jo turistët e huaj.
“Janë shqipot që ndalojnë në autostradë, bëjnë selfie me Shqipërinë e bukur dhe hedhin plehrat në tokë. Shishet e birrës i lënë aty ku kanë pirë birrën. Shkoni e shihni vetë – janë fotografuar. Edhe thonë më pas ‘mirupafshim Shqipëria ime, shihemi verën tjetër’”, deklaroi Rama.
Ai kërkoi masa drastike, sensibilizim dhe bashkëpunim nga qytetarët për të mbrojtur mjedisin dhe pasuritë natyrore të vendit.
Kryeministri bëri të ditur se Operatorët e rinj për ujin dhe mbetjet do të fillojnë punën në mënyrë të plotë në janar 2026, pas një periudhe përgatitore prej 4 muajsh.
“Do të përshpejtojmë punën dhe në janar do t’i japim jetë operatorit të prodhimit të ujit. Nuk mund të bëhet çdo gjë me një kolpo. Duhet kohë, faza, organizim”, u shpreh ai në përmbyllje.
/r.e//a.f/