E Hënë, 2 Nëntor 2026

ARRSH: Realizohet gati gjysma e punimeve fizike në aksin Elbasan-Papër

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Punimet në kantierin e rrugës Elbasan-Papër, Loti II, pjesë e Korridorit VIII, po vijojnë me ritme të mira, ndërsa realizimi fizik i projektit ka arritur në masën 46%.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), bëri të ditur sot se kanë përfunduar punimet për gërmimin e trupit të rrugës, ndërsa po afrohen drejt përfundimit veprat e artit, si muret gabion, tombino dhe box-e.

Paralelisht, sipas ARRSH-së, vijon puna edhe për mbrojtjen lumore përmes pilotave, që siguron që rruga të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt për trafikun.

Aksi Elbasan-Lekaj kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjergjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shezë, Gjocaj, Peqin, Karinë) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë). Ai nis në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, në afërsi të Rrogozhinës.

Ky projekt është pjesë e Korridorit VIII, një rrugë kyçe që lidh portet e Italisë me ato të Varnës dhe Burgasit në Bullgari, duke kaluar përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Pas përfundimit të punimeve, ky segment do të shndërrohet në autostradë, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e lëvizjes në këtë rajon.

1 nga 5

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›