Rama: Opozita të bëhet pjesë e Komisionit Antikorrupsion, ne nuk humbasim fokusin nga puna

TIRANË, 26 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se Komisioni Antikorrupsion është një hapësirë jashtë perimetrit të luftës parlamentare, ku opozita duhet të bëhet pjesë.
“Ky është një ushtrim i shtetit, një ushtrim që, për hir të së vërtetës, i ka të gjithë komponentët në dispozicion për sa i takon përfaqësimit ndërkombëtar, por është një ushtrim që do të ishte shumë mirë të kishte edhe ata që nuk janë pjesë e kësaj skuadre kombëtare, sepse janë në opozitë”, tha Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Rama theksoi se komisioni i posaçëm antikorrupsion është një hapësirë ku nuk bëhet politikë dite, “kush jam unë dhe kush je ti”, por ku të gjithë ata që janë brenda këtij perimetri me një mandat nga populli shqiptar, normalisht duhet të jenë pjesë.
“Aq më tepër që i dëgjojmë të thonë që do të vijnë në pushtet vitin tjetër. Të duash të vish në pushtet vitin tjetër dhe ta mendosh që do të vish në pushtet vitin tjetër, duhet të jesh më i interesuari për të qenë në këtë tryezë. Sepse nëse vjen në pushtet vitin tjetër të gjitha këto do t’i kesh ti për t’u marrë. Minimalisht qoftë edhe për t’u informuar, për të mësuar edhe si një kurs parashkollor, kjo mund të vlejë për t’u përgatitur, që në momentin kur do marrësh pushtetin të jesh gati. Por sigurisht që gjasat janë që askush nga ata që thotë do marrim pushtetin vitin tjetër, nuk e beson as vetë se do marrin pushtetin vitin tjetër”, tha Rama.
Por kryeministri theksoi se “ne nuk kemi asnjë arsye të humbasim fokusin nga puna”.
“Me ata ose pa ata, ne këtë punë do ta bëjmë, sepse Shqipëria nuk mund të presë që ne të merremi vesh me ata, që ata të vijnë të bëjnë detyrën e tyre. Ky nuk është kopsht pa drekë. Vendet janë aty, në vendet tona më rezulton që të gjithë anëtarët tanë janë të ulur dhe janë në punë. Grupi mbështetës i ekspertëve po ngrihet, puna do të vazhdojë. Fuqia e shumicës në Kuvend dhe fakti që kjo shumicë është pjesë e asaj skuadre kombëtare ku janë edhe të tjerët besoj unë është e mjaftueshme që edhe gjithë të tjerët të jenë të angazhuar në këtë proces”, shtoi Rama.
“Ndërsa e vetmja pjesë e paangazhuar e këtij procesi akoma, që është pjesa që është në opozitë, e vendos vetë. E vendos vetë. Në çdo moment që do duan të ulen në atë tavolinë dhe t’i sjellin aty të gjitha idetë që kanë për si luftohet korrupsioni, të gjitha idetë për si luftohet krimi i organizuar, të gjitha idetë që kanë për si luftohet për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, më kompetitive, më europiane. T’i sjellin aty dhe pa asnjë paragjykim dhe pa asnjë diskutim, çfarë është pozitive dhe çfarë është e dobishme dhe çfarë është e vlefshme do të qëndrojë aty”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “gjëja e mirë e kësaj pune është që kjo punë është një punë që kur të shkruhet në çdo kapitull të vetin, në çdo faqe të vetën do duhet të certifikohet nga partnerët tanë, nga Bashkimi Europian dhe patjetër dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Kështu që nuk ka shans që nëse ka ide të mira, ne t’i lëmë jashtë vetë njëherë, por edhe nëse nuk ka besim tek ne janë edhe të tjerët që do t’i gjykojnë dhe patjetër që do t’i certifikojnë idetë e mira, por thelbi është që ne s’kemi shpikje të mëdha për të bërë, ne këtu i kemi gjëra,t pak a shumë gjërat e vendosura”, shtoi ai.
/r.e/