E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PD zvarrit reformën zgjedhore

Dje, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS

Kreu socialist e akuzoi maxhorancën për mungesë vullneti politik për të respektuar afatet e marrëveshjes.

Bllokimi i reformave komprometon integrimin e Shqipërisë në BE

Kryetari i Partisë Socialiste e akuzoi dje maxhorancën se po i zvarrit qëllimisht reformat për të cilat u ra dakord në marrëveshjen PD-PS.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve socialistë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama shprehu shqetësim për këto vonesa. Jemi shumë të shqetësuar, dhe këtë shqetësim e shprehu në mënyrë të qartë diskutimi i gjerë që ne bëmë dje në Kryesinë e partisë lidhur me dështimin e procesit në raport me afatin. Sot, sipas afatit të përcaktuar, ne duhet të ishim drejt finalizimit të reformës zgjedhore në pak ditë të mbetura të muajit shkurt. Fatkeqësisht, jemi shumë larg këtij objektivi, dhe kjo për shkak të një zvarritjeje që po bëhet gjithmonë e më shqetësuese nga ana e palës tjetër, u shpreh Rama. Sipas tij, propozimet e Partisë Socialiste në këtë reformë janë në një linjë me rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it.
Kjo reformë është një prioritet kyç i Bashkimit Europian, që lidhet drejtpërdrejt me fatin e statusit të kandidatit, por është edhe një prioritet kyç i opozitës dhe Partisë Socialiste, që lidhet drejtpërdrejt me fatin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme. Rama tha se edhe reforma parlamentare po zvarritet nga maxhoranca. E njëjta gjë dhe me reformën parlamentare, që ka mbetur edhe ajo në pikat kyçe të saj. Gjë që na bën krejtësisht të vetëdijshëm për faktin se nëse këto dy reforma nuk kalojnë ashtu siç duhet dhe në kohën e duhur procesi i integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Europë është tërësisht i kompromentuar. Dhe sigurisht, për këtë ka vetëm një përgjegjës, dhe është qeveria e Republikës së Shqipërisë, u shpreh Rama.
Delegimet
Kreu socialist, duke shprehur vendimin e Kryesisë së një dite më parë, tha se kërkohet që të forcohet edhe më shumë lidhja e të gjithë deputetëve me qytetarët dhe strukturat socialiste. Dëshiroj të përcjell edhe aspektin që lidhet me kontributin e çdo deputeti në diskutimet dhe vendimmarrjen e djeshme të Kryesisë së partisë në raport me domosdoshmërinë për të forcuar intensivisht lidhjet me qytetarët, lidhjet me anëtarësinë e partisë, lidhjet me të gjitha komunitetet që kanë nevojë të përditshme për të qenë në kontakt me nivelet më të larta të përfaqësimit politik të PS dhe të opozitës. Pjesë e kësaj përpjekjeje duhet të jetë edhe angazhimi për të dhënë gjithsecili kontributin edhe në procesin e hapur të anëtarësimeve të reja në parti, u shpreh Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Takimet
Kreu socialist ishte dje pasdite në qytetin e Durrësit, në një takim me socialistët dhe qytetarët. 300 djem e vajza, por dhe gra e burra, pjesë e PS-së sot në Durrës. Bashkëbisedim i bukur për politikën si angazhim qytetar e për programin e PS-së. Lamë të takohemi pas një muaji për të vijuar bashkëbisedimin ku secili duhet të sjellë me vete edhe dy të tjerë. PS Durrës shumë aktive, shkruan Rama në Twitter.

Zvicra
Kryetari i PS-së takoi dje sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme të Zvicrës, Peter Maurer, në selinë rozë. Duke vlerësuar kontributin që ofron shteti zviceran në Shqipëri përmes programeve të asistencës dhe zhvillimit, Rama theksoi domosdoshmërinë për shtrirjen e kësaj përvoje pozitive dhe në fusha të tjera, si dhe të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve tona.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›