Rama:Berisha zvarrit reformën për të manipuluar zgjedhjet

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha se po përpiqet të zvarrisë reformën zgjedhore për të bërë të pamundur implementimin e masave të reja antimanipulim për shkak të mungesës së kohës. Ndërsa ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha në seancën plenare, Rama ka theksuar se pala tjetër nuk ka pranuar ende asnjë nga pikat e domosdoshme kyçe për një reformë të plotë e të drejtë zgjedhore.
Sipas tij kryeministri Berisha dy vjet rresht ka përsëritur me dhjetra herë për opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar se është gati të pranojë çdo propozim të opozitës për Refomën Zgjedhore ndërsa tani që po skadon afati i kryerjes së reformës nuk pranon asnjë nga rekomandimet kyçe të ODHIR-it.
“Se kush është kryeministri i sotëm i Shqipërisë e se sa për zemër e ka ai funksionimin e demokracisë dhe zgjedhjet e lira e kanë marrë vesh të gjithë, edhe shqiptarët edhe komuniteti ndërkombëtar. Ne e kemi ditur me kohë. Por ajo që kërkojmë sot është respektimi pikë për pikë i vendimit të parlamentit për Reformën Zgjedhore dhe futja në kod pikë për pikë e çdo rekomandimi të OSBE/ODHIR-it, ashtu sikundër hapja e një debati transparent në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe për përmirësimin e sistemit zgjedhor” ka theksuar Rama.
Sipas tij pala tjetër nuk është e detyruar të bëjë atë që mendon e propozon PS-ja por padyshim është e detyruar të votojë bashkë me të pa humbur kohë reformën, mbi të gjitha pikat detyruese të listës së gjatë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it.
“Ne s`kemi bërë asnjë marrëveshje me Sali Berishën e me qeverinë e tij kur jemi ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore apo në tryezën e Komisionit të Ligjeve për ligjet me 3/5-tat që po i shkruajmë thuajse nga e para për të futur në to frymën e normat europiane të funksionimit të shtetit. Por kemi një marrëveshje me publikun shqiptar për ta çuar përpara integrimin europian të vendit dhe do të vazhdojmë të përpiqemi me të gjitha energjitë e forcat në këtë drejtim” shton Rama.
Ai gjithashtu i ka kërkuar partnerëve ndërkombëtarë të mos lejojnë që Reforma Zgjedhore, të dështojë në funksion të axhendës së njohur të kryeministrit. “Që fatkeqësisht mbetet vjedhja e zgjedhjeve të radhës. Nesër do të jetë vonë për ta ndaluar përsëritjen e historisë së shkeljes së vullnetit të popullit Sovran” ka përfunduar Rama.