Rama-emigrantëve: Investoni kursimet tuaja në agroturizëm

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pagat në sektorin e turizmit në Shqipëri janë në të njëjtin nivel me Greqinë.
Ndaj, nga Selaniku, Rama u bëri thirrje gjithë shqiptarëve që punojnë në Greqi në sektorin e turizmit të vijnë në Shqipëri, ku jo vetëm do të marrin një pagë të ngjashme, por edhe ku paguajnë shumë më pak taksa e detyrime sesa në Greqi, dhe janë në tokën e tyre.
“Çdo shqiptari të Greqisë e Europës që ka një shtëpi të vetën e truall në fshat, kudoqoftë, i them pa as më të voglin dyshim, t’i investojë kursimet e veta në agroturizëm, ku nxjerr më tepër të ardhura”, tha Rama.
Duke folur për situatën e pagave në Shqipëri, Rama theksoi se është trefishuar paga minimale, ndërsa paga mesatare në sektorin publik ka shkuar në 900 euro.
“Kemi rritur angazhimin në punë të forcave të punës nga 50 në 70%. Pagat reale në Shqipëri në sektorin privat janë plotësisht konkurruese me rajonin”, shtoi Rama. /j.p/