Rama: PS i dorëzoi Dumanit “shpatën” drejtësisë që përdorej për qëllime politike

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Në rubrikën “Sy m’sy”, teksa iu përgjigj komenteve dhe pyetjeve të qytetarëve në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama tha sot se ndihet krenar për faktin që Partia Socialiste ka bërë një akt që do të mbetet në histori, duke iu referuar Reformës në Drejtësi.
“O Ramë shiko kënetën tënde sepse po të zhyten ministra e deputetë”, ishte komenti i një qytetari.
Duke iu përgjigjur qytetarit, Rama tha se kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani aty ka qenë edhe më parë prokuror, por nuk ishte i dëgjuar dhe as nuk ka thirrur më parë një njeri me pushtet që t’i bëjë pyetje. Sipas Ramës, kjo sepse ai ishte i “çarmatosur”, ndërsa shtoi se ishte Partia Socialiste që i dha “shpatën” drejtësisë.
“Realisht me vjen keq se e vërteta është krejt e kundërta, unë i bëj këtë pyetje njerëzve dhe po ta përsëris dhe ty. Altin Dumani e ke dëgjuar ti, është një prokuror që drejton SPAK-un, një burrë me integritet, profesionalizëm dhe kurajo, dhe është bërë i njohur pikërisht sepse nën drejtimin e tij kanë ndodhur gjëra në aspektin e drejtësisë nuk imagjinoheshin. Por ka një gjë Altin Dumani këtu ka qenë, ka qenë prokuror prej shumë vitesh dhe po ky ka qenë me integritet, profesionalisht me kurajo, por pse nuk e kë dëgjuar më para ti Altin Dumanin. Si e shpjegon pse Altin Dumanin nuk e kemi dëgjuar më para dhe unë nuk e dija që ekziston një person emrin Altin Dumani. Si ka mundësi që një njeri kurajoz, trim, profesionist për ta thirrur një herë, një njeri me pushtet që t’i bëjë një pyetje. Jo, sepse nuk e kishte shpatën, ishte i çarmatosur. Drejtësia ka qenë e çarmatosur, që nga 1912, dhe e di kush e armatosur drejtësinë unë dhe PS. Unë që thoja më jepni timonin pa të tjerë në prehër në garën e 2017 kur mezi i futa në zgjedhje se nuk donin të hynin dhe donin të bojkotonin zgjedhjet që mos të kalonte vetingu dhe të dështonte reforma në drejtësi. Thosha me jepni timonin për një drejtësi që godet majtas dhe djathtas dhe sheh vetëm drejt. Për kë e kisha unë. Unë jam këtu jam krenar për faktin që PS ka bërë një akt që do të mbetet i shkruar në histori”, tha Rama.
Sipas Ramës edhe populli e kupton shumë mirë që ndryshime në drejtësi i bëri Partia Socialiste.
“Një ditë të bukur PS dorëzoi shpatën, shpatën që ka qenë këtu te kjo zyrë që nga 1912, dhe që përdorej sipas oreksit. Mbretëri, diktaturë, president, në demokraturë që ishte ajo e bufit të parë që futi në burg kryetarin e opozitës shpata ishte aty dhe përdorej për qëllim politike. Vriteshin ministra, pushkatoheshin, vareshin, internoheshin, por asnjëherë nga një prokuror apo gjykatës i pavarur sot ka ndryshuar. Kush e ndryshoi? Stamo Dumo e ndryshoi, këto i kupton mirë shumica e popullit, ky është problemi i madh me ata që i thonë vetes analistë që janë shëmbëlltyrat më kuptimplota të kënetës për të cilën flas, ujit të ndenjur që kanë vite e vite që shajnë e mallkojnë dhe kërkojnë revolucione imagjinare”, tha Rama. /j.p/