E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shumica e shqiptarëve mendojnë se jemi në rrugën e duhur ndaj kërkojmë mandatin e katërt

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një komunikim në platformat sociale me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”.

Kreu i qeverisë e nisi fjalën e tij me një monolog, duke iu përgjigjur kritikave në lidhje me fushatën elektorale të Partisë Socialiste.

Kur na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare, Rama tha se sipas sondazheve, Partia Socialiste është forca me shumicën më të madhe.

“Jemi në fazën kur rruga drejt 11 majit po shkon drejt finishit dhe disa gjëra janë kthjelluar si për shembull kush i fiton zgjedhjet në të gjitha sondazhet e është shumë e qartë se pyetjet kush i fiton zgjedhjet ka një shumicë më të madhe që thotë i fiton PS. Jemi në kushtet kur një dëshpërim shumë të madh në anën tjetër, një dëshpërim që reflektohet në pasqyrat e kënetës mediatike. Në pasqyrat e kënetës mediatike ka shumë ankesa, pretendime se jetohet në një autokraci. Faktikisht horizontalisht nuk lihet gjë pa thënë për mua, për qeverinë dhe për PS që është forca që qeveris madje edhe për vetë popullin. Populli në këta pasqyra mediatike citoj thonë është “i sëmurë”.  Është i sëmurë se në shumicën dërrmuese mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, është një popull i sëmurë se shikon se në të gjitha aspektet ka progres, në të gjithë sektorët ka progres patjetër që ka ende shumë për të bërë prandaj jemi këtu dhe kërkojmë mandatin e katërt”, tha Rama.

Rama po ashtu u ndal edhe tek komentet në lidhje me gjuhën e tij në fushatë. Rama tha se në gjuhën e tij ka diçka për të cilën ka kërkuar ndjesë duke iu referuar “autizmit politik”, ndërsa theksoi se asnjë udhëheqës më parë në vend nuk ka kërkuar ndonjëherë ndjesë.

“Në këtë dëshpërim të madh ka disa elementë të tjerë, një element është që flitet për gjuhën time, se paskam thënë e bërë gjëra që askush nuk i bën. Por cilat janë këto, çfarë kam thënë unë faktikisht. Unë akoma sot nuk e kuptoj se në cilat gjëra që unë kam thënë kam bërë gjësendi tjetër përveçse kam komunikuar me publikun. Ka një gjë për të cilën unë kam kërkuar ndjesë, ku kam folur për autizimin politik. Autizmi politik është një term i përdorur në literaturën politike dhe akademike nuk është diçka e krijuar për të fyer apo për lënduar askënd, mirëpo dhe me shumë të drejtë dhe këtë u desh të gaboja që ta mësoja prej disa kohësh konsiderohet i papërshtatshëm dhe dikur kishte mbetur në mendjen time dhe doli pa dashje krejt pa dashje duke folur dhe patjetër që i gjendur në kushtet kur ndjeva se mund të kem lënduar prindër të fëmijëve autikë kërkova ndjesë shumë sinqerisht dhe patjetër që mund ta pretendojnë këtë gjë nuk është hera e parë që mund të gaboj. Kam bërë edhe në ndonjë rast tjetër atë që duhet të bëj dikush që gabon kam kërkuar ndjesë”, u shpreh Rama.

“Tani ma gjeni dot një tjetër udhëheqës politik shqiptar që ka kërkuar ndonjëherë ndjesë unë nuk e kam parash ndonjërin dhe nuk di ndonjërin që ka kërkuar ndjesë. Kur vjen puna te gjuha si shpjegohet se këta njerëz të cilët çdo natë çfarë nuk thonë flasin me një gjuhë ekstreme, unë personalisht jam shënjestër kryesore e kësaj gjuhe, kriminel e hajdut, mafioz, çfarë nuk thonë asnjë provë deri më sot, vetëm dokrra, vetë, llafe, e pi verën 33 mijë euro. Lëshohet një fjalë në rrugë dhe përsëritet  e përsëritet e bëhet e vërtetë dhe pastaj kthehet në akuzë dhe akuza komentohet e për këto komente ti je fajtor. Ndërkohë që unë personalisht mendoj se në atë që them kur përdor një gjuhë simbolike, metafora merrem me thelbin e çështjes”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›