Rama: PS në proces reflektimi. Punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por pronë e popullit shqiptar!

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhje së kryesisë së Partisë Socialiste se, punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, janë pronë popullit shqiptar”.“Një vijë e kuqe, e cila është vendosur fort në Kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi, është se punësime dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, janë pronë popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikë së Shqipërisë bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Rama.“Kështu që ta kenë të gjithë të qartë këtë gjë. Kjo nuk është propagandë, kjo është vija ndarëse që do të na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së gjithë administratës shtetërore në raport me publikun”, tha zoti Rama.
Kryeministri Rama theksoi se, “nëse në shërbimin civil tashmë kemi garantuar që proceset e rekrutimeve janë procese që kalojnë në kanale ligjore përmes konkursesh të organizuara nga DAP, të cilat janë në vështrimin tim procese me integritet dhe si rezultat i këtyre proceseve shumë njerëz kanë mundur të marrin atë që iu takon. Në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet, por që duhet me patjetër ta qasim me forcë dhe me vendosmëri. Kjo është e prerë dhe për këtë do të angazhohemi të gjithë”.
Zoti Rama u shpreh se, “puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të PS-së në zgjedhje në raport me rezultatet. Dhe njëkohësisht për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria pavarësisht moshës dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje”.
I pyetur nëse do të ketë një aksion konkret për të parandaluar punësimet partiake, Rama tha se, “deputetët janë aty për t’u shërbyer komuniteteve. Deputetët janë aty për t’u shërbyer popullit. Deputetët janë aty për të çuar të gjitha mesazhet e nevojshme tek njerëzit. Për të dëgjuar me vëmendje njerëzit dhe për të sjellë në grupin parlamentar, për të sjellë në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë të gjitha shqetësimet e njerëzve. Deputetët nuk janë as punëdhënës, as zyra pune dhe kjo do të jetë një vijë e kuqe, nuk diskutohet”. “Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe se si rekrutohen njerëzit për të punuar në administratë dhe se kush merr përgjegjësi në administratë janë procese që rregullohen qartësisht nga ligjet e Republikës së Shqipërisë, janë procese që i takojnë strukturave të shtetit. Nuk janë procese që u takojnë deputetëve”, tha Rama.
I pyetur për vendimin e Komisionit të Venecias për lënien në fuqi të zgjedhjeve lokale të vitit 2019, dhe se çfarë do të bëhet me ato bashki që nuk kanë kryetar, Rama tha se, “për këtë nuk duhet të më pyesni mua, duhet të pyesni kë i ka në dorë këto punë. Unë nuk i kam në dorë këto punë. Qeveria nuk vendos se kur dhe si bëhen këto procese. Normalisht që proceset duhet të ishin bërë me kohë, por nuk është ky as detyrimi, as mundësia ime të japë përgjigje për këtë sepse nuk e di”.