E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama PS ne pushtet ne 2013 une kryeminister

Në intervistën e parë në studion e Abc News Kryetari i Partisë Socialiste është shprehur i bindur se do të jetë në parlament pas zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm. Edi Rama tha se forca politike që ai drejton do të jetë në pushtet në 2013 dhe ai do të jetë kryeministër i vendit. Dhe duke folur për këtë temë kreu i selisë rozë deklaroi se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të tilla që vullneti i popullit të mos deformohet.

Buxheti 2013
Përsa i takon buxhetit të vitit 2013 Rama tha se në diskutimet për të u ballafaquan dy vizione të ndryshme për bashkëjetësën e njerëzve në një shoqëri demokratike, e përgjegjësisë së shtetit në raport me të gjithë ata që nuk ia dalin.
“U ballafaquan secili për vete Zoti për gjithë, secili për vete, qeveria për të gjithë”- u shpreh ai.

Vizioni i programit politik të PS-së
Për kreun e PS-së nevoja e Shqipërisë për të rilindur nuk është nevojë që ka nisur të formësohet në 2009.
“Është bërë ulëritëse, nuk besoj se gjithçka e mbrapshtë ka nisur me këtë qeveri në 2005, por në vend që të ndërtohej mbi gjërat e arritura jo keq, u shkatërrua në vijim me të bërat keq. U zgjodh rruga e rrënimit në vend asaj të përparimit . Flasim për një qeveri që nga 2009 nuk ka legjimitetin pasi është me vota të vjedhura. Është një forcë që po qeveris prej gati 8 vitesh. Ajo që kemi sot në Shqipëri është rezultat i keqqeverisjes dhe rrënimit”- theksoi Rama.

Zgjedhjet e 2013
“Dua të besoj që zgjedhjet do jenë në standarde të pranueshme europiane, pa pasur nevojë t’i organizojë PS, por duke qenë të tilla vitin e ardhshëm, dhe sigurtisht që demokracia në Shqipëri është gjithnjë e më shumë një eufomizëm”- deklaroi ai, i cili shtoi se zgjedhjet nuk janë mjaftueshmërisht të lira e të ndershme për sa kohë nuk kemi institucione që t’i garantojnë ato.
“Zgjedhjet e 2013 nuk janë të Edi Ramës, po për të bërë një përcaktim të rëndësishëm për atë që Shqipëria do të jetë për dekadën e ardhshme. Nuk lidhet se do zgjidhet mes PS e PD, por për rrugën ku duhet të krijojmë rrugën për rilindjen. Dua të shpresoj dhe kam besim që do ia dalim që zgjedhjet e ardhshme do i kemi të tilla, që të mos deformohen”.

Rama: Zgjedhjet nuk i vodhi ligji, KQZ shkeli ligjin
Përsa u takon zgjedhjeve të 2009 kreu i PS tha zgjedhjet nuk i ka vjedhur ligji, por KQZ ka shkelur ligjin dhe duke e bërë këtë ka garantuar vjedhjen e zgjedhjeve. Për kryesocilaistin PD në 2005 erdhi në qeveri në rrugë legjitime, por nuk e pati votën popullore, pasi ndarja e votës së të majtës solli PD në qeveri. 2009 tregoi se PD nuk vjen në qeveri pa vjedhur votën.
“Ajo që unë besoj se gjithë kjo gjendje shumë e rëndë ekonomike e sociale, e shtetit të së drejtës, lidhet me faktin se nuk kemi një qeveri që buron nga vota”- theksoi rama, i cili u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.

Rama: PS e gatshme për koalicion edhe me parti të djathta
Duke folur për koalicionin parazgjedhor për 2013, kryesocialisti u shpreh se është i gatshëm të bëjë koalicion edhe me parti të djathta. Nga ana tjetër, një koalicion me LSI-së duket se nuk është me një dilemë mes socialistëve. Nuk do të ketë koalicion me LSI-ne para zgjedhjeve të 2013 sipas kryesocialistit, për sa kohë partia e Ilir Metës, është pjesë e koalicionit qeverises. “LSI do konsiderohet si kundërshtar për ta mundur” tha Rama.

Lista e deputeteve për zgjedhjet e 2013
Sa i takon listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socailiste për zgjedhjet e 23 qershorit, Rama nënvizoi se grupi aktual parlamentrar e ka justifikuar plotësisht besimin. Ai theksoi se PS nuk është në kushtet për të bërë përmbysje të madhe, pasi grupi është plotësisht i konfirmueshëm.

Rama: Miratimi i 3 ligjeve, nëse zbatohet vendimi për Fierin
Përsa i takon miratimit të 3 ligjeve, në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat, kryesocialisti ripërsëriti qëndrimin se PS do i votojë menjëherë pasi të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë për kreun e këshillit të Qarkut Fier. Sipas tij, deputetët socialistë nuk do të japin votën e tyre për të bërë një makiazh legjislativ për Gjykatën e Lartë.

Kryesocialisti është shprehur i gatshëm për një përballje mediatike me kryeministrin Sali Berisha.
Edi Rama, nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, i pyetur nëse do të jepte dorëheqjen nëse do të humbiste zgjedhjet.
“Do largohem nga politika si fitues”- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›