E mbyll Liga e Europes
Enigma më nuk ka, edhe pse Europa League nuk i mbylli dot të gjitha ndeshjet e saj. Njëzetekatër ekipet e kualifikuara janë të ditura tashmë, ndërsa thjesht pritet të luhet për statistikë Sporting-Fehervar, shtyrë për shkak të përmbytjes në Lisbonë.
Është Gjermania që shkëlqen, ashtu si në Champions, me të 4 përfaqësuesit e saj që vijojnë rrugën.
Borusia e Mynshengladbahut e mbylli në mënyrën më të mirë, duke triumfuar 3-0 në Turqi ndaj Fenerbahçes, ndonëse stambollinjtë arritën ta mbanin vendin e parë.
Leverkusen e përfundoi me fitoren, ndonëse modeste, 1-0 ndaj Rozenborgut në fushën e tij dhe kalon si e para e grupit. Po vend të parë zuri edhe Hanover që pati një provë force në Spanjë ndaj Levantes, duke ia dalë të barazojë 2-2. Mëkati i vetëm që i iku fitorja nga duart pasi kryesoi 2-0.
E kualifikuara tjetër “teutonike” ishte Shtutgarti, edhe pse i shtangu tifozët me humbjen 0-1 në fushën e vet ndaj një ekipi me peshë të lehtë si Molde i Norvegjisë. Në këtë grup, në vend të parë doli Steaua e Bukureshtit që ia doli të barazonte 1-1 në Danimarkë, ndaj FC Kopenhagenit.
Anglia arriti gjithashtu të kualifikonte ekipet e saj, plot 3 që janë Liverpuli, Njukasëlli dhe Totenhami. Të kuqtë ia dolën të fitonin 1-0 në Itali ndaj Udinezes duke dalë të parët në grup, ndërsa Anzhi rrezikoi shumë në Zvicër ku u mund 1-3 nga Jang Bojsi. Një humbje më e thellë do ta kishte eleminuar.
Nga Spanja janë mbajtësja e trofeut Atletiko e Madridit dhe Levante dhe po ashtu dy ekipet nga Ukrainas, Dnipro dhe Metalist i Harkivit.
Shorti i turit të dytë hidhet më 20 dhjetor, ashtu si për Championsin, me koka serie 12 fituesit e grupeve dhe 4 më të mirat e të tretave që vijnë nga Liga e Kampionëve.