Rama: PSE më mbështet për kutitë dhe vizat

Dy janë çështjet e mëdha që na kanë sjellë këtë herë këtu në Parlamentin Europian; transparenca e zgjedhjeve të shkuara për të mos lejuar që të ardhmet t'ju ngjajnë të shkuarave dhe njëkohësisht liberalizimi i menjëhershëm i vizave për të gjithë shqiptarët, u shpreh Rama gjatë një prononcimi për mediat.
Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Europa ta mbështesë procesin e transparences. Europa ta mbështesë betejën me korrupsionin elektoral; Europa ta mbështesë problemin madhor të ndarjes nga një e shkuar dramatike zgjedhjesh të deformuara e të konstatuara, ka thënë Rama.
Të të njëjtës rëndësie e ka cilësuar kreu i PS-së dhe heqjen e vizave.
Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme që Europa e gjitha ta mbështesë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë më për një politikë të vjetër dhe të verbër, që i mban ende mbyllur, i mban ende të izoluar në mes të një Ballkani që është çliruar përfundimisht, ku të gjithë lëvizin lirisht, u shpreh Rama.
Ai theksoi se ju drejtua Grupit Socialist Europian, duke i kërkuar mbështetje për këto çështje themelore.
Pata nderin të komunikoj me përfaqësues të lartë të këtij grupi, por edhe të këtij parlamenti për të shpjeguar sesa e rëndësishme, sesa jetike, sesa e domosdoshme është për Shqipërinë e nesërme europiane transparenca e sotme e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, ku e vërteta rrëqethëse e Ruzhdies duhet të dalë në dritë në të gjitha Ruzhdiet e tjera anembanë Shqipërisë dhe ku Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga kjo praktikë e shëmtuar dhe e patolerueshme. E përsëris, Shqipëria duhet njëkohësisht ti bashkangjitet të gjithë vendeve të tjera që lëvizin sot lirisht nëpër Europë, u shpreh Rama.
m.xh/NOA