E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi me shoqatat: Ngrini zërin për të drejtat

Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati një takim sot me drejtues të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të përndjekur politikë protagonistë të 20 shkurtit 1991, takim ky i kërkuar disa ditë më parë nga vetë ata.
Zyra për mediat, tha se gjatë bisedës, të pranishmit midis të cilëve Gëzim Kalaja, Adrian Kati, Lulzim Braja dhe Sajmir Maloku shprehën mirënjohjen për interesimin që Presidenti i Republikës tregon ndaj shqetësimeve dhe nevojave të të përndjekurve politikë dhe gjithashtu për gatishmërinë e vazhdueshme të tij për takime dhe biseda me përfaqësues kësaj shtrese.
"Ata e njohën Presidentin Topi me kërkesën e tyre që emërtimi i datës simbol 20 shkurt 1991 të pasqyrojë më mirë anën dhe të vërtetën historike të atij momenti, duke e përkujtuar atë si ditë të shembjes së diktaturës komuniste dhe të nderimit të viktimave të regjimit komunist", thuhet në njoftim.
Sipas tij, kreu i shtetit "pasi dëgjoi me vëmendje mendimet e shprehura nga bashkëbiseduesit në këtë takim, i siguroi ata rreth vullnetit dhe predispozicionit të plotë personal dhe institucional ndaj shqetësimeve të tyre, duke u sugjeruar që të ngrenë zërin dhe të ndjekin të gjitha rrugët dhe procedurat e ligjshme institucionale me synim përmbushjen e kërkesës së tyre".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›