Rama: Pa PS-në nuk ka SPAK, pellgaçet deklarojnë se duan ta shkrijnë nëse votohen

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “pa Edi Ramën dhe PS-në nuk ka SPAK”.
Në një bashkëbisedim online në rubrikën “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj qytetarëve në lidhje me qëndrimin ndaj SPAK.
“Të jemi shumë të qartë, për të gijthë ata që kanë vënë kujën që ç’pati Edi Rama, u tërbua, ndryshoi qëndrim, iu vërsul SPAK-ut, të mbrojmë SPAK-un nga Edi Rama. Nëse nuk mbron Edi Ramën në betejën e tij bashkë me PS-në, harrojeni SPAK-un, nuk keni SPAK. Pa Edi Ramën dhe PS-në nuk ka SPAK. Kjo është e qartë. Nuk do kishte as nuk diskutohet. Por nuk ka sepse bufi i kënetës e thotë dhe në mënyrë deklarative më jepni votën të shkrij SPAK-un”, u shpreh Rama.
“Dhe nuk besoj se i shkon njeriu mendja që SPAK-un nëse nuk e garanton bashkë me të gjithë reformën në drejtësi kjo kocka këtu dhe PS bashkë me mua nuk mund ta garantojnë ato pellgaçet rreth e rrotull kënetës së atyre partiçkave që kanë të re vetëm moshën e pronarit të tyre se gjë tjetër të re nuk kanë, se kanë të njëjtat metoda dhe të njëjtën sjellje si sjellja e bufit të kënetës, por janë si mroklla të vogla dhe i bëjnë hosana SPAK-ut sepse mendojnë se SPAK-u do t’i heqë qafe kundërshtarët dhe këta do rriten. Do rriten se është lis i madh PS. Nën hijen e një lisi të madh nuk mbin kollaj gjë tjetër”, tha Rama. /j.p/