Rama: Partitë e vogla rikthim i farës së LSI-së, duan të marrin peng popullin

TIRANË, 2 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot partitë e reja janë vetëm një rikthim në fushë i farës së vjetër të LSI-së, një parti e vogël merrte peng dynjanë për interesat e veta.
Në takimin përmbyllës elektoral në Dibër, Rama u ndal te rëndësia e zgjedhjeve të 11 majit për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Asnjëherë dera për ne nuk ka qenë e hapur, ka qenë vetëm fjala. Sot ka ndodhur ajo që dukej e pabesueshme. Ata e kanë hapur derën për Shqipërinë dhe na kanë dhënë 3 vite afat për t’u bërë anëtarë të BE-së. Janë mbi 250 mijë faqe që duhet t’i kalojmë një për një, duhen marrë vendime, duhen bërë ligje, masa. Dhe ne atje themi po biem dakord. Tani e kuptoni ju që mos të kemi fuqinë këtu, të kthehemi këtu dhe të duhet të bindim kënetën ‘hajde votoni edhe ju se na duhet’. Dhe si mund t’u themi ne atyre në Europë që ju e keni hapur derën por prisni se ne nuk jemi vetëm njerëz siç na shihni, kemi edhe një buf mes nesh”, u shpreh Rama.
Rama tha se ka po ashtu edhe disa parti të reja që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të tyre.
“Ca që thonë jemi parti të reja, por të re kanë vetëm moshën e kryetarëve. Ato partitë e reja janë një rikthim në fushë i farës së vjetër të së ndjerës LSI. Ju kujtohet se çfarë kemi hequr me atë farë dhe se si një parti e vogël merrte peng dynjanë për interesat e veta. Ekzakt e njëjta gjë janë edhe këto të rejat që kanë dalë. Asnjë gjë më shumë, asnjë gjë më pak”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se ndërkohë që PS kërkon që vendi të anëtarësohet në BE, partitë e vogla duan të marrin peng popullin me zgjedhje të parakohshme.
“Ne duam të anëtarësohemi në BE, ata thonë po ta kemi ne në dorë në 11 maj do kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Pse? Për ta marrë peng popullin, ose ne në karrige, ose s’ka qeveri”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen e “ata nuk do të arrijnë dot asnjë gjë, as të mëdhenjtë dhe as të vegjlit”.
“As këneta, as moçalet. Çështja është sa do të arrijmë ne dhe këtu nuk është fjala që ne të arrijmë të bëjmë qeverinë se kjo as diskutohet. Këtu fjala është që të kemi një fuqi vendimmarrëse që të ecim para dhe të mbyllim negociatat me BE-në”, tha Rama.