E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pas disa ditësh takim me Merz, opozita “mori rrugët” me molotovë e nxori flamujt e Gjermanisë në bulevard

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, kritikoi protestat e opozitës, duke deklaruar se ato kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar sot në Durrës me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama tha se kundërshtarët politikë “morën rrugët” me molotovë dhe gëzoheshin që fotot e kazanëve me plehra apo flakadanëve dilnin nëpër mediet e botës.

Sipas tij, opozita arriti deri në pikën që nxori flamujt e Gjermanisë në bulevard.

“Çfarë nuk thanë për këtë që nesër bëhet një tjetër fakt. Ku nuk shkuan, çfarë nuk sajuan. E mbi të gjitha, për turpin e madh, por turpi është një fjalë që nuk ka lidhje me ta, morën rrugët me molotovë dhe gëzoheshin që fotot e kazanëve me plehra që digjeshin apo flakadanëve që qëllonin mbi Kryeministrinë apo xhami, dilnin nëpër mediet e botës. Arritën deri në pikën që nxorën flamujt e Gjermanisë në bulevard, për herë të parë në historinë e pluralizmit. I kishim parë flamujt e Amerikës, kur thoshin: Amerika është me ne. Por flamujt e Gjermanisë nuk i kishim parë. Këtej molotovët, këtej flamujt e Gjermanisë. Dhe mbushën dynjanë duke thënë se Gjermania na ka ndëshkuar”, tha Rama.

Ai shtoi se nesër në Bruksel janë të gjithë, është dhe Gjermania.

Rama po ashtu bëri të ditur gjithashtu se pas disa ditësh do të zhvillojë një takim me kancelarin e Gjermanisë.

“Nesër në Bruksel janë të gjithë, është dhe Gjermania. E dyta, pas disa ditësh do t’ju çoj si përshëndetje një informacion të detajuar nga takimi që do të kemi me kancelarin e Gjermanisë. Do ma falni vanitetin”, deklaroi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›