E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Pasqyra Albania” do të njoftojë qytetarët në kohë reale për ligjet, vendimet dhe emergjencat e ndryshme

Kryeministri Edi Rama para grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar prezantoi sot platformën e “Pasqyra Albania”, një instrument të ri digjital që synon të krijojë një adresë të vetme publike për informacionin, dokumentet, statusin dhe provat që lidhen me punën e institucioneve shtetërore.

Rama tha se “Pasqyra Albania” nuk vjen si zëvendësim i platformës së Bashkëqeverisjes, por do të ndërthuret me të, ndërsa theksoi se përdorimi i inteligjencës artificiale krijon mundësi të reja për transformimin e shërbimeve dhe komunikimit mes qytetarëve dhe shtetit.

Sipas Ramës, “E-Albania” do të jetë gjithashtu pjesë përbërëse e “Pasqyrës”, ndërsa dokumentet personale dhe komunikimi individual i qytetarëve do të vijojnë të mbrohen dhe të kryhen përmes kanaleve përkatëse.

“Shteti ka detyrimin të ketë një adresë të vetme publike për faktin, për dokumentin, për statusin dhe për provën e çdo pune të madhe dhe çdo halli të vogël.

Tani, në hamendësimet e bëra thuhet që Pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes.

Ndërkohë që kjo është e pa vërtetë, jo vetëm sepse platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por sepse platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e Pasqyrës. Ama, çfarë platforma e bashkëqeverisjes nuk ka bërë dot deri më sot, Pasqyra do ta garantojë edhe përmes platformës së bashkëqeverisjes, që aktualisht është në një proces transformimi për shkak se përsëri e nënvizoj, nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, Inteligjencën Artificiale.

“E-Albania do të jetë pjesë përbërëse po ashtu e Pasqyrës. Dhe dosja personale, dokumentet individualë, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania-s ose në kanalin përkatës ku zgjidhet çështja. Pra, halli individual vazhdon të trajtohet me ditët dhe me konfidencialitet, por risia është që halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e depërtueshme të xhunglës digjitale”, u shpreh Rama.

Një nga risitë që kreu i qeverisë përmendi, është mundësia që qytetarët të marrin në kohë reale informacion mbi ndryshimet ligjore dhe vendimet që lidhen me fushën e tyre të interesit.

Ai solli si shembull sipërmarrësit e vegjël, të cilët mund të zgjedhin të marrin njoftime në celular, përmes WhatsApp-it, sa herë që hyn në fuqi një ligj, vendim apo urdhëresë që prek aktivitetin e tyre.

Rama theksoi se këto njoftime do të bazohen në dëshirën e vetë qytetarit për t’u informuar dhe se “Pasqyra Albania” nuk do të mbledhë të dhëna jashtë dijenisë së tij.

“Pasqyra Albania publikon në kohë reale për çdo qytetar ku ngec një shërbim për të. Pasqyra Albania informon çdo qytetar të interesuar sa zgjat përgjigja që ai duhet të presë. Pasqyra Albania mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe në korpusin rregullator të Republikës së Shqipërisë. Dhe Pasqyra Albania do të fitojë një kapacitet të ri që çdo qytetari që do të dëshirojë të jetë i informuar përmes celularit për çfarë ndodh në fushën e tij të jetës, pra, një sipërmarrës i vogël do të jetë i informuar çfarë ndryshimesh ndodhin në ligj apo në vendimet e qeverisë për çfarë i takon biznesit të vogël, ndryshimin ai e merr në WhatsApp-in e tij në kohë reale sapo ndodh. Dhe i thuhet, sot ka hyrë në fuqi ky vendim. Sot ka hyrë në fuqi ky ligj. Sot Drejtoria e Tatimeve e Republikës së Shqipërisë ka nxjerrë këtë urdhëresë. Dhe si ky, sipërmarrësi i vogël, çdokush sipas profesionit dhe fushës së interesit, regjistron në Pasqyra Albania dëshirën për të qenë i lajmëruar.

Që do të thotë që Pasqyra Albania nuk mbledh të dhëna jashtë dijenisë së cilitdoqoftë. Dhe nuk përdor të dhënat e mbledhura për shkak se dikush ka hyrë tek e-Albania për të marrë një shërbim, për t’i çuar pastaj atij një njoftim që mund të jetë një njoftim në shërbim të tij. Por vetëm nëse individi i thotë shtetit unë dua që ti të më njoftosh mua sapo ta nxjerrësh vendimin. Nuk dua ta marr vesh mbas një viti kur të më vijë fatura që ke vendosur një tarifë të re apo që ke bërë një ndryshim. Nuk dua fare të dëgjoj nga ndërmjetësit mediatikë apo të keqinformohem nga pasqyrat mediatike, dua që ti, shteti im, të më japësh mua informacion në kohë reale”, u shpreh Rama.

Një tjetër funksion që përmendi, Rama është informimi në kohë reale për situata emergjente. Sipas tij, platforma duhet të jetë në gjendje të njoftojë qytetarët që ndodhen në zona të rrezikuara nga zjarret apo përmbytjet, pa qenë nevoja që ata të presin njoftimet zyrtare apo t’i marrin informacionet përmes mediave.

“Pasqyra Albania duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka një rrezik zjarri. Çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka një rrezik përmbytjeje, jo duke pritshur konferencën e shtypit të ministrit përkatës apo drejtorit të emergjencave civile apo duke ndjekur në pasqyrat mediatike se botës i erdhi fundi”, tha Rama.

Rama tha se mjeti themelor i “Pasqyrës” do të jetë “kartela publike”, e cila nuk do të përmbajë propagandë apo deklarata politike, por informacion konkret mbi punën e institucioneve.

Rama tha se kartela publike do të përmbajë të dhëna mbi punën që po kryhet, institucionin përgjegjës, personin apo strukturën që mund të japë përgjigje, dokumentet përkatëse, afatet, statusin, ndryshimet e bëra dhe provat që lidhen me një proces.

“Pasqyra nuk ka asnjë tekst propagandistik, Pasqyra nuk ka asnjë deklaratë se çfarë do të bëjmë ne. Pasqyra ka vetëm çfarë bën qeveria sot, çfarë bën me gjasë parlamenti, çfarë bën pushteti gjyqësor sot.

Dhe kartela publike plotëson disa me kritere shumë të thjeshta. Cila është puna që po bëhet apo u bë, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek apo e ndoqi, cili përgjigjet për pyetjet që mund të kem unë rreth kësaj pune, ku janë dokumentat, ku janë afatet, statusi, çfarë ka ndryshuar, cila është prova, e të tjerë”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›