Rama: Pension minimal 200 euro deri në 2030-ën

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.
Në rubrikën “Sy m’Sy” duke iu përgjigjur një qytetari, i cili e pyeti për pensionet, Rama u shpreh se, synohet që deri në 2030-ën të mund të arrihet tek pensioni minimal 200 euro.
“Sa i përket pensioneve 300 euro. Këtë mirë që nuk e thotë njeri, se kjo do të ishte pastaj një katastrofë e paralajmëruar. Për arsyen e thjeshtë se është shpjeguar disa herë. Pensionet nuk janë çështje dëshire. Nuk ekziston kryeministër në planet, edhe ai më i poshtri që mos të dojë të rrisë pensionet dhe t’i rrisë sa ç’kanë qejf njerëzit, apo rrogat”, tha Rama.
Por, shtoi Rama, “dallimi është se ai që është i përgjegjshëm në raport edhe me fëmijët, jo vetëm me të rriturit, nuk bën gjëra të cilat nesër i paguajnë fëmijët. Nuk ndërton piramida që pastaj zënë brenda gjithë vendin siç e zunë në 1997-ën”.
Prandaj, nënvizoi kreu i qeverisë, “pensionet bazohen tek Fondi i Sigurimeve. Pra paguajnë të gjithë për pensionin dhe ndërkohë me ato paguajmë, paguhen pensionet aktualisht”.
“Kështu që ne synojmë që deri në 2030-ën të mund të arrijmë tek minimumi, pensioni minimal 200 euro, deri në 2030-ën”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “ata që janë me sigurime të plota të kemi një pension mesatar 400 euro. Por, kjo është rruga”.
“Rruga tjetër, ajo që flet ti, është rruga e katastrofës dhe këtë ne nuk e bëjmë dot”, tha Rama.
“Dhe ndërkohë kemi thënë dhe e përsëris që pensionistët po marrin bonuse domethënëse në raport me të shkuarën dhe do të vazhdojnë të marrin bonuse, ndërkohë që ne gradualisht do të çojmë pensionin deri në atë minimalen që sapo thashë”, u shpreh Rama.
Rama tha po ashtu se paga minimale do të bëhet 500 euro dhe do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2026.
“Asnjë rrogë, asnjë pension nuk vendoset se duam ne, por vendoset duke u bazuar tek llogaritë, sepse nuk është diçka që vendoset sot dhe hiqet nesër. Duhet të bësh projeksion të qartë se do t’i kesh ato para”, tha Rama.
“Paga minimale në qershor do të vendoset që të bëhet 500 euro dhe do të hyjë në fuqi në janarin e vitit tjetër sepse paga minimale nuk është kaq e thjeshtë, sepse do t’ia imponosh kompanive, kompanitë kanë mundësitë ose pamundësitë e tyre. Nga ana tjetër, paga minimale ndikon në fuqinë konkurruese të produkteve. Nuk është kaq e thjeshtë”, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste ka programin qeverisës më të hollësishëm në çdo fushë.
Rama tha se “ne jemi në negociata me Bashkimin Evropian, si mendoni BE bën negociata me një vend që s’ka program”.
“Mos dëgjoni “bufin e kënetës”, ikni nga këneta, braktisni kënetën këto di t’ju them. Nuk po ju them ikni nga këneta dhe bëhuni anëtarë të PS-së, por ikni nga këneta për shëndetin tuaj mendor dhe për shëndetin e arsyes tuaj. Kush rri në kënetë lajthti”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “nuk jam lloji i politikanit apo përfaqësuesit publik që shaj të tjerët: o kriminel, hajdut, maskara, drogaxhi; këto janë maskarallëqe që një pjese të madhe nuk u bën përshtypje. Kur unë flas në mënyrë metaforike ose simbolike nuk ofendoj asnjë, por jemi përballë një kënete ku mbretëron një buf kënete”.
Ky është realiteti, tha Rama, për të kuptuar se çfarë kënete është ajo të cilën do të duhet ta gjykoni edhe në 11 maj dhe shpresoj të kontribuoni për ta tharë mjafton të shikoni listat e mbyllura.
“Ato lista të mbyllura të atij koalicioni madhështor të Kujtim Gjuzit, aty është këneta. Shikoni listat e mbyllura dhe shikoni kënetën me gjithë kuak-kuakët”, tha Rama.
/m.q/k.s/r.e//a.f/