E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, persona me profil të lartë politik para drejtësisë së pavarur

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, reformimi rrënjësor i drejtësisë ka qenë një vizion dhe një objektiv i pandashëm i Partisë Socialiste.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos në Kryeministri, i pyetur lidhur me antikorrupsionin dhe nëse do të jetë prioritet antikorrupsioni edhe në mandatin e katërt duke qenë se drejtuesit e dy komisioneve të posaçme të Antikorrupsionit dhe kundër Dezinformimit janë në listën e hapur të kandidatëve për deputetë, Rama u shpreh se “është e vërtetë që ne kemi ndërmarrë një udhëtim në det të hapur”.

“E kemi ndërmarrë prej ditës së parë që unë kam marrë përsipër të drejtoj forcën më të madhe politike të shqiptarëve në opozitë, kur kemi vendosur që do të reformojmë rrënjësisht drejtësinë dhe ky ka qenë një vizion dhe një objektiv i pandashëm i yni deri kur arritëm që në mandatin e parë t’i hapim rrugë një procesi historik, transformues dhe realisht unikal në rajon për të luftuar dhe rrëzuar mitin e pandëshkueshmërisë dhe për të vendosur themelet e një sistemi të barazisë para ligjit”, deklaroi Kryeministri.

“Sot ne kemi për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar qysh nga viti 1912 kur Shqipëria u shpall e pavarur nga perandoria otomane dhe për herë të parë krijoi shtetin e vet, njerëz me profile të larta publike, të lidhur me pushtetin politik, që janë para drejtësisë, që hetohen dhe gjykohen nga prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga qeveria, të pavarur nga pushteti politik”, tha Rama.

“Më kujtohet që kur ne kemi bërë reformën në drejtësi dhe bënim anketime për të pyetur qytetarët, mbështetja për reformën në drejtësi ishte masive, ishte nga ato pak raste kur shqiptarët që përgjithësisht janë të ndarë edhe për nëse po bie shi apo nëse ka diell sot, ishin në të njëjtën valë. Mbi 90% donin reformën në drejtësi, donin vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, donin hapjen e këtij procesi”, kujtoi Rama.

Por, shtoi Rama, “pyetjes a mendoni se në jetën tuaj do shikoni ndonjëherë ndonjë ministër apo ndonjë pushtetar përpara drejtësisë ata 90% që thoshin duam reformë bëheshin 90% brenda tyre që thoshin jo, jo nuk e mendojmë. Sot ky është realitet”.

“Dhe nëse ju më thoni që na jep një arsye të vetme, se ka shumë, për të nënvizuar se çfarë kemi bërë në këto vite është kjo. Kemi arritur të thyejmë një tabu dhe të fusim në një kthesë shumë të fortë një traditë shumë, shumë të vjetër dhe komplet të kundërt me standardet e bashkëjetesës së familjes evropiane”, tha Rama.

Natyrisht, shtoi kreu i qeverisë, “kjo nuk do të ndodhte pa Bashkimin Evropian dhe pa perspektivën evropiane”.

“E kam thënë dhe e përsëris edhe sot. Edhe afganët donin të bënin demokraci, donin të bënin shtet të së drejtës, donin të ndërtonin një sistem lirish individuale dhe barazie para ligjit, por nuk ia dolën. Edhe irakenët me siguri e donin këtë por nuk ia kanë dalë dhe s’ka shans t’ia dali askush me traditën kundër dhe me mungesën e institucioneve si pjesë të historisë së vet, përveç atyre që kanë bekimin të kenë BE-në. Dhe ne e kemi këtë bekim që jemi në mes të Evropës dhe kemi BE-në që është aty me të gjithë kapacitetet e dijes, për të na treguar, për të na shoqëruar dhe për të na ndihmuar, por edhe monitoruar sesi bëhet një shtet i së drejtës”, vijoi Rama.

Thënë të gjitha këto shtoi Rama, natyrisht që ky proces është në fillimet e veta. “Natyrisht që ka problematikat e veta. Natyrisht që nuk bëhet fjalë thjeshtë për pavarësi të pushtetit gjyqësor, por bëhet fjalë dhe për standarde demokratike, bëhet fjalë për mbrojtjen nga vetë pushteti gjyqësor i lirive dhe të drejtave të njeriut etj.”, theksoi ai.

“Ky është proces dhe ne jemi të pangopur në këtë proces me rezultate duam më shumë, më shumë, më shumë në të gjitha proceset. Prandaj kemi ngritur edhe një komision parlamentar i cili do të jetë aty deri kur ne të futemi në BE. Do të jetë aty për të siguruar që parlamenti është epiqendra që koordinon të gjitha forcat e tjera dhe të gjithë faktorët e tjerë në funksion të mirëqeverisjes, në funksion të sundimit të ligjit në funksion të antikorrupsionit, duke ruajtur dhe duke mbrojtur me fanatizëm patjetër pavarësinë e pushteteve”, tha Rama.

Sa i përket pyetjes det i hapur det i mbyllur, Rama u shpreh se, ky është një diskutim tjetër.

“PS nuk mund të jetë partia e atyre që janë brenda. PS duhet të jetë partia edhe e atyre që janë jashtë saj.  PS nuk është qëllim, PS është mjet dhe është një mjet që duhet të jetë në dorën e shoqërisë për ta përdorur dhe ata që janë brenda dhe që kanë kontroll mbi këtë mjet nuk mund ta përdorin PS-në si mjet për të penguar të tjerët që të disponohen për të ndërtuar Shqipërinë”, shtoi ai.

“Me sistemin që kemi ne kemi preferuar që në listat e mbyllura të fusim njerëz që ndryshe nuk do të arrinin dot të ishin në parlament. Në listat e hapura të fusim njerëz që i kanë të gjitha mundësitë, kanë eksperiencën, kanë lidhjet, kanë njohjen e organizimit të partisë që të marrin votat e tyre”, theksoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›