E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Personat e thirrur për dijeni do paraqiten me avokat, akses të pakushtëzuar te provat

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, u ndal te ndryshimet që synojnë forcimin e rolit të avokatit dhe garantimin e barazisë mes mbrojtjes dhe akuzës.

“Ndryshimi i dytë i madh vendos barazinë reale ndërmjet mbrojtjes dhe akuzës. Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit”, tha Rama.

Sipas tij, avokati duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë.

“Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq.

“Pa këtë akses, e drejta e mbrojtjes mbetet një premtim në letër”, deklaroi Kryeministri.

Një tjetër ndryshim, sipas tij, lidhet me detyrimin e prokurorit për të hetuar edhe rrethanat që e shfajësojnë apo favorizojnë personin.

“Prokurori i një shteti demokratik nuk ka për mision të gjejë patjetër një fajtor, ka për mision të zbulojë patjetër të vërtetën”, tha Rama.

Duke u ndalur te marrja në pyetje, kreu i Qeverisë tha se ndryshimet synojnë të mbyllin një zonë gri, duke garantuar të drejtat e personave që thirren në prokurori apo polici.

“Ndryshimi i tretë i rëndësishëm mbyll një zonë gri të marrjes në pyetje. Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci”, u shpreh Rama.

“Çdo person i thirrur në prokurori ose polici, edhe si person në dijeni, do të ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra në një status tjetër nuk mund të përdoren më tej kundër tij”, vijoi Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen me zë dhe figurë.

“”Nëse shteti merr në pyetje një njeri, shteti duhet të tregojë në çdo kohë si e ka marrë deklarimin e tij dhe sa e ka respektuar dinjitetin e tij si qytetar gjatë marrjes në pyetje. Për herë të parë, shkruhet pa asnjë ekuivok se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo me sjellje degraduese ndaj personit janë të papërdorshme. Një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta prodhojë atë me dhunë apo presion verbal mbi njeriun”, tha ai.

Një tjetër ndryshim lidhet me mbrojtjen e jetës private në kushtet e zhvillimit teknologjik. Rama tha se sekuestrimi i një pajisjeje nuk mund të përdoret për të aksesuar në mënyrë të pakufizuar të gjithë përmbajtjen e saj dhe se për këtë do të kërkohet autorizim gjykate, ndërsa në rastet urgjente të përcaktuara nga ligji, veprimi do t’i nënshtrohet vlerësimit gjyqësor.

“Ndryshimi i katërt vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një mjet për të parë dhe lexuar apo kontrolluar gjithçka. Për këtë duhet autorizim i gjykatës. Në rastet e urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet më pas nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë vlen edhe në lidhje me përgjimet: duhet të shikohen vetëm ato që kanë lidhje me hetimet”, theksoi Rama.

Rama pohoi se personi do të ketë të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim, ndërsa hetimet e fshehura nuk duhet të kthehen në rutinë.

“Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim. Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës. Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat, akuzat dhe mbrojtjen”, tha ai.

Duke iu referuar ndryshimit të gjashtë, Rama u shpreh se ai lidhet me zbatimin e prezumimit të pafajësisë edhe jashtë sallës së gjyqit.

“Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”, theksoi ai.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›