Roja Bregdetare e SHBA-së vizitë në Portin e Durrësit, në fokus siguria portuale

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Në kuadër të Programit Ndërkombëtar për Sigurinë në Porte, përfaqësues të Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvilluan një vizitë në Portin e Durrësit, me fokus njohjen nga afër me masat, procedurat dhe strukturat që garantojnë sigurinë portuale.
Gjatë takimit u prezantua situata e sigurisë në port, zbatimi i standardeve dhe procedurave në përputhje me kërkesat e Kodit ISPS, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mes strukturave që ushtrojnë veprimtarinë në territorin portual.
Vizita vijoi në Terminalin e Pasagjerëve, ku delegacioni u njoh nga afër me proceset e përpunimit dhe kontrollit të pasagjerëve, si dhe me ambientet dhe zyrat e strukturave të sigurisë dhe autoriteteve ligjzbatuese që operojnë në port.
Një ndalesë e veçantë ishte edhe Salla Operacionale Ndërinstitucionale, ku oficeri i sigurisë së Portit dhe drejtori i IT prezantuan sistemet e monitorimit, koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit, të cilat mbështesin menaxhimin në kohë reale të sigurisë dhe operacioneve portuale.
Vizita shërbeu gjithashtu për shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit në funksion të standardeve më të larta të sigurisë në Portin e Durrësit.
/k.s/j.p/