Rama: Përveç PS-së, askush tjetër në Tiranë nuk e donte votën e shqiptarëve jashtë atdheut

TIRANË, 29 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Kreta se përveç socialistëve askush tjetër në Tiranë nuk e donte votën e shqiptarëve jashtë atdheut.
Në një takim me shqiptarët në Kretë, Greqi, në kuadër të turit të takimeve me diasporën, Rama e konsideroi premtim të mbajtur realizimin e votës së diasporës.
“Gjithmonë më pyesnit se ‘kur do të na jepet edhe ne mundësia që të votojmë si shqiptarët në Shqipëri, pa qenë e nevojshme që të marrim rrugët shpeshherë të pamundura për të hedhur edhe ne votën tonë. Ka qenë një përpjekje jo e shkurtër, jo e lehtë. Përveç nesh askush tjetër në Tiranë nuk e donte votën e shqiptarëve jashtë atdheut, se ata e kuptonin shumë mirë që nëse shqiptarët jashtë atdheut do të fitonin të drejtën të votonin nga jashtë pa qenë nevoja të merrnin rrugën në Shqipëri pa diskutim që ky do të ishte një tjetër avantazh për ne”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se PS, forca që sot vazhdon të qeverisë vendin e ka transformuar një vend që ishte shumë e vështirë t’ia thoje emrin pa u ndjerë keq para të huajve në një vend emrin e të cili sot e respekton çdo i huaj.
“Por jo vetëm kaq, por unë e besoj se ata në Tiranë e kuptonin që syri juaj, vëzhgimi juaj, gjykimi juaj është në një distancë të mjaftueshme dhe bazohet në një eksperiencë të mundimshme pune për të qenë një gjykim shumë objektiv. Ju dini punën dhe sakrificat e punës më shumë se kushdo tjetër. Ju e dini që punët duan mund të madh, ju e dini që rritja e ekonomisë së familjes do mund dhe do durim të madh. Ju e dini që të arrish të pranohesh nga të tjerët përmes rezultateve të punës do vërtetë kokëfortësi dhe ambicie të madhe”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në një farë mënyre historia e Shqipërisë së këtyre 3 mandateve që ne qeverisim është shumë e ngjashme me historinë e familjes dhe shtëpisë suaj.
“Është shumë e ngjashme me historinë e marrëdhënieve tuaja me fqinjët rreth e rrotull. Dikur ju nuk kishit shtëpi, flinit nëpër fusha, strehoheshit në një kënd që ua jepte si për lëmoshë kush ju përdorte si krah pune. Sot ju shkoni në shtëpitë tuaja këtu dhe kudo në Greqi dhe anembanë Europës. Sot ju letrat ju vijnë në adresën që mban emrin e babait tuaj. Sot fqinjët tuaj rreth e rrotull grekë, italianë apo çfarëdo qofshin kudo tjetër sidomos këta këtu nuk ju shohin më nga lart poshtë dhe nuk kanë më asnjë shans që t’ju përbuzin sepse ju nuk jeni më të detyruar t’i thoni mirëmëngjes edhe kur ju thonë plaç”, tha Rama.
Duke iu drejtuar shqiptarëve të Greqisë kryeministri theksoi se kjo e juaja është ekzaktësisht historia e rivendosjes së emrit Shqipëri dhe shqiptar aty ku e meriton.
“Është historia e vendosjes së reciprocitetit, të respektit të ndërsjellë dhe detyrimit për të na respektuar kur i respektojmë në marrëdhëniet mes nesh dhe çdo fqinji dhe çdo shteti tjetër”, tha Rama. /j.p/