Rama: Paqja fiskale lehtëson bizneset, katër format se si do të funksionojë

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, përmes paqes fiskale do t’i bëhet të gjithë sipërmarrjes një falje e madhe.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2026 dhe paketa fiskale, Rama u shpreh se, paqja fiskale i jep mundësinë sipërmarrjes të mbyllë të gjitha çështjet e vjetra, duke ushqyer më tepër besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore dhe duke lehtësuar marrëdhënien mes tyre dhe duke lehtësuar dhe koston administrative të sipërmarrjeve”.
Rama i ftoi të gjitha sipërmarrjet të lexojnë me kujdes paketën fiskale dhe t’i referohen faljes së detyrimeve tatimore që do të bëhet në 4 forma.
“Fshirje e plotë e detyrimeve të papaguara më të vjetra se 10 vite.
Fshirje e 50% të detyrimeve të periudhës 5-10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet menjëherë, me fshirje totale të gjobave dhe të interesave.
Fshirje 25% e detyrimeve të periudhës 5-10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet me këste brenda vitit, gjithashtu me fshirje të gjobave dhe interesave.
Fshirje e gjobave dhe kamat vonesave për periudhën 1-5 vite me kusht që të paguhet i plotë tatimi dhe kontributi i asaj periudhe”, u shpreh Rama.
“Kështu bizneset jo vetëm do të kenë mundësi të lehtësohen nga kjo barrë e vjetër, por do të kenë dhe mundësi të korrigjojnë deklarimet dhe pasqyrat e mëparshme financiare”, tha Kryeministri.
“Për diferencën e korrigjuar vullnetarisht mes deklarimit të vjetër dhe atij të riut tatimi fitimit do të jetë vetëm 5%”, theksoi kreu i qeverisë.
Rama theksoi se, “sipërmarrja mund të angazhohet të rrisë me 18% fitimin e tatueshëm të krahasuar me vitin e kaluar dhe çdo fitim mbi këtë nivel do të tatohet me vetëm 5%”.
Kreu i qeverisë, nënvizoi se, “kjo është një marrëveshje e re, një marrëveshje kuptimplotë dhe një marrëveshje transparente në funksion të fuqizimit të ekonomisë dhe padiskutim edhe në funksion të lehtësimit të kompanive e të rritjes së mëtejshme të ekonomisë”.
/gj.m/a.f/