E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Peshorja e drejtësisë anon nga pesha represive e shtetit, qasje e re ndaj paraburgimit

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kërkoi sot një qasje të re ndaj përdorimit të paraburgimit në Shqipëri, duke e cilësuar situatën aktuale si një problem serioz të sistemit të drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Rama tha se nisma për ndryshimet është nxitur edhe nga vërejtjet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe mekanizmave të tjerë evropianë e ndërkombëtarë lidhur me trajtimin e personave në paraburgim.

Kreu i qeverisë tha se në Shqipëri rreth 62% e personave që ndodhen në burgje janë të paraburgosur, ndërsa mesatarja evropiane është rreth 26%.

“Në këtë paketë i japim peshën që meriton krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit. Nisja e diskutimeve konkrete për këtë paketë u nxit nga alarmi i ngritur prej Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe mekanizmat e tjerë evropianë dhe ndërkombëtarë, të cilët na vunë përpara një pasqyre rrëqethëse të Shqipërisë”, u shpreh ai.

“Në Shqipëri, peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit. Edhe sot, po të pyesësh një model të inteligjencës artificiale se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë kontinentit evropian, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Shqipëria. Raporti më i fundit i Këshillit të Evropës për gjendjen në 31 janar 2025 tregon se 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë”, theksoi ai.

Rama solli si krahasim edhe vende të tjera të rajonit, duke përmendur Greqinë me 24.8%, Serbinë me 21.5%, Maqedoninë e Veriut me 14.3%, Rumaninë me 12.4% dhe Bullgarinë me 7%.

“Mesatarja evropiane e të paraburgosurve në po atë datë ishte 26%, ose ndryshe Shqipëria ishte më shumë sesa dy herë më keq krahasuar me mbarë Evropën. Në Greqi 24.8%, në Serbi 21.5%, në Maqedoninë e Veriut 14.3%, në Rumani 12.4% dhe në Bullgari 7%. Pra, ky nuk është ndonjë mallkim rajonal, as ndonjë rekord i pashmangshëm ballkanik. Është një problem shumë i rëndë shqiptar, të cilin duhet ta adresojë në letër pa humbur kohë Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet ta pranojmë si sfidë të përbashkët për ta fituar: gjyqësori dhe ekzekutivi”, vuri në dukje Rama.

“Ne, duke siguruar mbështetjen financiare dhe logjistike dhe po ashtu përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës së gjyqësorit, dhe magjistratët duke iu përkushtuar zbatimit të kësaj pakete garancisht si një mision dinjiteti kombëtar”, tha ai.

Kryeministri u ndal edhe te kohëzgjatja e paraburgimit.

“Si mund ta pranojmë ne, faktin që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës! Atje, në atdheun e represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me një telefonatë, të paraburgosurit janë 30% e popullsisë së përgjithshme të burgjeve, 30%. Pra, as sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Rama tha se nuk mund të vijohet me të tilla shifra, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja njerëzve të pariparueshme, jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë.

“Jemi një vend shumë i vogël dhe një popull që vjen nga një histori shumë traumatike për t’ia bërë vetes me duart tona dëm kolosal të një politike të tillë penale, e cila ka një impakt negativ jo vetëm mbi viktimat e drejtpërdrejta të saj, por edhe mbi shoqërinë, që nuk bëhet asnjëherë më e mirë dhe më njerëzore kur peshorja e drejtësisë anon ndjeshëm nga represioni shtetëror”, tha ai.

Sipas tij qëndrimi mesatar në paraburgim në juridiksionin e përgjithshëm arrin në 253 ditë, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian rreth 155 ditë.

“Në juridiksionin e përgjithshëm, qëndrimi mesatar në paraburgim arrin në 253 ditë në Shqipëri, më shumë se tetë muaj, kundrejt rreth 155 ditëve në vendet e Bashkimit Evropian, ku për kohën e paraburgimit ka dhe kufizime të arsyeshme që në Shqipëri mungojnë plotësisht”, tha ai.

Ndërsa në Gjykatën e Posaçme, Rama tha se “kjo kohë ngjitet në shifrën e paimagjinueshme për Evropën, 616 ditë, ose më shumë se një vit e tetë muaj, krahasimisht me mesataren pesëmujore të Evropës. Janë shifra rrëqethëse që flasin vetë”.

“Prandaj do t’i ftoja të bëjnë kujdes të gjithë ata që mund nguten, ta shohin këtë realitet kaq të zymtë përmes syzeve të negativitetit ndaj Reformës në Drejtësi”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›