Rama: Paraburgimi duhet të jetë masa e fundit

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale u prezantuan sot në kuadër të Reformës në Drejtësi, me fokus të veçantë te përdorimi i masës së paraburgimit dhe forcimi i garancive për të drejtat e personave në procesin penal.
I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Edi Rama iu referua një studimi të OSBE-së në Tiranë të vitit 2006, sipas të cilit 41% e personave të paraburgosur nuk kishin takuar mbrojtësin e tyre përpara seancës ku vendosej për heqjen e lirisë, ndërsa 59% e avokatëve nuk kishin qenë të pranishëm gjatë marrjes në pyetje për herë të parë nga prokuroria të klientëve të tyre.
“Që të jemi shumë të qartë, fakti që kjo e keqe është e hershme i bën të dhënat edhe më të rënda, sepse vijimësia, inercia tejet negative na tregon se nuk kemi para syve një pasojë që ka lindur rishtas nga pavarësimi i pushtetit gjyqësor, por kemi në mesin tonë një kulturë të vjetër varësie të drejtësisë ndaj kultit të forcës”, deklaroi Rama.
Duke folur për paraburgimin, Kryeministri theksoi se, sipas Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kjo masë duhet të përdoret si alternativa e fundit në procesin penal.
“Paraburgimi, i cili sipas Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të jetë masa e fundit në Shqipëri, është qendra e gravitetit të procesit penal”, u shpreh ai.
Rama solli në vëmendje edhe vlerësimet e institucioneve dhe organizmave ndërkombëtarë për mënyrën e përdorimit të paraburgimit në Shqipëri. Sipas tij, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kanë nënvizuar në mënyrë të përsëritur problematikat që lidhen me vendosjen dhe vijimin e masave të paraburgimit.
“Paraburgimi në Shqipëri kërkohet rëndom me formula të gatshme dhe vendoset duke përsëritur argumentimin e prokurorit, pa një analizë reale të profilit të personit, të rreziqeve konkrete që mund t’i kanosen hetimit apo gjykimit në liri dhe mundësisë për masa më të buta”, tha Rama.
Ai iu referua edhe çështjeve të shqyrtuara nga Gjykata e Strasburgut kundër Shqipërisë, ku, sipas tij, është konstatuar mungesa e pajustifikueshme e një shqyrtimi real për vazhdimin e masave shtrënguese.
“Gjykata e Strasburgut, në një sërë çështjesh kundër Shqipërisë, ka konstatuar mungesën e pajustifikueshme të një shqyrtimi real për vazhdimin e masave shtrënguese”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, projektndryshimet synojnë t’i përgjigjen një problematike konkrete dhe lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, si edhe me kapitullin 23 të negociatave me Bashkimin Evropian.
“Kjo paketë është një përgjigje konkrete ndaj një problemi konkret, real dhe lëndues që Shqipëria nuk e ka me ata që sot janë në paraburgim, por me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe që lidhet me kapitullin 23 të negociatave me BE”, u shpreh Kryeministri.
Rama bëri të ditur se paketa prek rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale dhe është konceptuar si një arkitekturë e vetme, e mbështetur në një parim përcaktues: ushtrimi i pushtetit në procesin penal duhet të ketë një bazë të qartë ligjore, të jetë proporcional me qëllimin dhe t’i nënshtrohet një kontrolli përmbajtësor nga gjykata.
“Çdo ushtrim i pushtetit në procesin penal do të ketë një bazë të qartë në ligj, duhet të jetë proporcional me qëllimin, duhet t’i nënshtrohet kontrollit përmbajtësor dhe jo formal të gjykatës dhe duhet të prodhojë pasoja juridike kur tejkalon kufijtë e vet”, theksoi Rama.
/e.i/ /a.g/