E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Paratë publike sot po investohen më mirë, progresi u konstatua nga FMN-ja

TIRANË, 30 shtator /ATSH/  Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në mënyrën se si planifikohen dhe menaxhohen investimet publike, përmes  vlerësimit të eficiencës së investimeve publike (PIMA), i cili mat cilësinë e menaxhimit të investimeve publike.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, tha se vlerësimi i FMN-së tregon se paratë publike po përdoren në mënyrë më efikase dhe se Shqipëria po përmirëson praktikat e menaxhimit të fondeve publike.

“Paratë publike sot po investohen më mirë. Është një progres që e ka konstatuar FMN-ja në raportin e fundit, ku vlerëson sesi Shqipëria po investon paratë publike”, u shpreh Malaj.

Ai theksoi se progresi lidhet me menaxhimin dhe alokimin e fondeve buxhetore, si edhe me rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në prokurimin publik.

“Kur investojmë në rrugë, spitale dhe shkolla, nuk mjafton vetëm të kemi paratë në buxhet, por duhet të sigurohemi që këto para të përdoren me eficiencë dhe konkurrencë, në mënyrë që për çdo para të investuar të marrim vlerë të shtuar”, tha Malaj.

Sipas tij, vijimi i reformave synon që investimet publike të sjellin më shumë zhvillim, shërbime cilësore dhe vlerë për qytetarët.

“Objektivi ynë është i thjeshtë: të vijojmë me reformat, të sigurohemi që çdo lek i qytetarëve i investuar të sjellë më shumë zhvillim, më shumë shërbime cilësore dhe vlerë për Shqipërinë”, deklaroi ministri.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›