E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Plan i dakordësuar me BE për të mbyllur negociatat në vitin 2027

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka një plan të dakordësuar me Bashkimin Europian për të mbyllur negociatat në vitin 2027.

Në konferencën e përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian dhe zv.presidenten e KE-së, Kaja Kallas, e cila po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë, Rama tha se për herë të parë, pas shumë e shumë vitesh dera është hapur dhe është konkrete hyrja në BE, për interesa të përbashkëta strategjike.

“Ka një plan të dakordësuar me Bashkimin Europian për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë që në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni u rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin dhe më pas çdo vend anëtar merr rekomandimin dhe e çon në Parlament, ku të gjitha parlamentet miratojnë anëtarësimin. Ndaj parashikohet një periudhë 2 vjeçare ratifikimesh që konkludon në 2030 në tryezën BE-së. Kështu që plani është krejtësisht i qartë. Pjesa jonë është jonë është të përmbyllim negociatat me sukses deri në fund të 2027”, tha Rama.

Kryeministri informoi se “për këtë po punojmë çdo ditë dhe ambicia jonë është që brenda vitit të hapen gjithë kapitujt”.

“Është pjesë e planit të dakordësuar dhe në momentin që ky bëhet realitet nuk ka asnjë pengesë, derisa BE e ka hapur derën. Dhe për herë të pare, mendoj unë, prej shumë e shumë vitesh, kur dera u mbyll pas anëtarësimit të fundit të Kroacisë, dera është hapur dhe është konkrete hyrja në BE për interesa të përbashkëta strategjike”, deklaroi kryeministri Rama.

Kryeministri theksoi se procesi i negociatave varet pa dyshim edhe nga puna e qeverisë, e cila vuri në dukje Rama nuk duhet të ndërpritet asnjë sekondë.

“Natyrisht kjo lidhet me punën tonë dhe puna jonë nuk duhet të ndërpritet asnjë sekondë. Kjo është logjika. Pasaporta e BE-së është rrjedhojë e anëtarësimit. Në momentin që anëtarësohemi, marrim edhe pasaportën me të gjithë ato që rrjedhin nga qenia qytetarë të barabartë të BE-së. Në këtë pike, mendoj se nuk na ndal askush dhe nuk do të na ndalë askush. Jam i bindur që më 11 maj marrim rezultatin e nevojshëm për të çuar para këtë proces pa humbur kohë. Çdo lëkundje e humbje kohe në kalendarin e përcaktuar mund të sjellë pasoja që lidhen jo me ne, por me dinamika të caktuara që mund të mbyllin derën prapë“, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›