E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Po shkelen liritë e biznesit, Berisha: Kemi marrë aprovimin

Kreu i Partisë Socialiste i ka bërë thirrje sërish Kryeministrit të vendit, Sali Berisha të mos miratojë në Kuvend dy projektligjet për biznesin qe pritet te diskutohen sonte atë “Për procedurat tatimore: dhe “Për falimentimin”. Sipas tij këto dy ligje i japin liri të plotë tatimorëve ndërkohë që shkelin të drejtat e biznesit. “Unë jam konsultuar me biznese dhe i kërkoj kryeministrit të mos shkelë detyrimin ligjor të transparencës e të konsultimit me biznesin para se ti vërë vulën këtyre dy projektligjeve” – është shprehur Rama.

“Është i papranueshëm pushteti i kufizuar dhe i pakontrolluar që marrin organet tatimore me këtë projektligjin “Për procedurat tatimore”, i cili bie ndesh me liritë e njeriut dhe vetëm do të përkeqësojë marrëdhëniet biznes-shtet” – vijoi Rama.

Ndërkohë kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur Ramës në një prononcim për shtyp duke thënë se për këto ligje është punuar plot 16 muaj.

Sipas tij ata janë bërë fund e krye nga fillimi dhe janë në dobi të konkurrencës së lirë. “Ligjet e biznesit kanë marrë aprovimin e Bankës Botërore, FMN-së, dhe nëpërmjet një institucioni gjerman edhe aprovimin e Komisionit Europian” – tha Berisha.

Projektligji “Për procedurat tatimore”

Një nga problemet më të mëdha të sistemit tatimor shqiptar ,që ka dalë në pah pas ardhjes në pushtet të qeverisë së djathtë, është sistemi i referencave.

Duke vendosur referenca për të gjitha çmimet në treg, administrata fiskale i ka kthyer këto vendime në burimin kryesor të gjobave. Si asnjëherë tjetër, tashmë, kemi çmime të përcaktuara përsa i përket banesave në të gjithë vendin, trojeve dhe tokave bujqësore, njëkohësit janë publikuar edhe rreth 4 mijë çmime produktesh të ndryshme që përdoren apriori nga ana e Administratës Tatimore, në kohën kur kontrollohen bilance apo realizohen rivlerësime tatimore.

Në ligjin e ri të Procedurave Tatimore, vlerësimi me metoda të tërthorta është kthyer në një nga pjesët kryesore të këtij drafti. Teorikisht, Shqipëria është një vend i tregut të lirë, ku marrëdhëniet ekonomike vetërregullohen, ku çmimet përcaktohen nga tregu, etj. Por këto koncepte duket se nuk janë fort të qarta për qeveritë.

Vazhdimisht, gjatë kohës së tranzicionit, ka patur tentativa të forta nga ana e autoriteteve për të vendosur mekanizma mbikëqyrës, duke filluar nga "normat referuese të fitimit" te "pagat referuese", "numri referues i të punësuarve në kompani" dhe së fundmi, "çmimet referuese".

Por propozimet e fundit, të cilat u miratuan dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, shkojnë përtej çdo limiti.

Ligji i ri, i kthen tatimet në institucion hetimor, me fuqi ligjore të thërrasë njerëz për t'u marrë në pyetje, qofshin edhe punonjës të thjeshtë kompanie apo njerëz të paautorizuar për të folur nga kompanitë nën hetim.

Ndryshimet i japin të drejtë Tatimeve të sekuestrojnë llogaritë bankare të tatim-paguesve pa një vendim gjykate, dhe jo vetëm të biznesit, por edhe llogaritë personale të pronarit apo ortakëve të biznesit, llogari që mund të mos kenë fare të bëjnë me biznesin nën kontroll.

Ligji i Falimentimit

Sipërmarrësit vendës nuk kanë asnjë mundësi për të ndjekur një procedurë të drejtë të falimentimit të biznesit të tyre. Sipas raportit të Bankës Botërore, edhe gjatë vitit 2007 nuk ka pasur asnjë rast të tillë, as për statistikat e këtij institucioni.

Një situatë e tillë, sipas BB, vlerësohet si një tregues i qartë i vështirësive në të cilat operon biznesi vendës. Një situatë e tillë, sipas raportit, bën që në shumë vende në zhvillim të ketë humbje të mëdha nga ana e një pjese të pjesëmarrësve në sipërmarrje.

Situata në Shqipëri, në këtë pjesë të rëndësishme të zhvillimit të sipërmarrjes, mbetet tepër e errët, nëse e krahasojmë me të gjitha vendet e rajonit.

Në një pjesë të vendeve të krahasueshme me Shqipërinë, nga ana e BB, ka një standard tjetër të këtij procesi. Kohëzgjatja e procesit të falimentimit në vendet e rajonit shkon nga 2 deri në 3 vjet dhe pjesa e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimit shkon nga 15%, që është rasti i Maqedonisë, në 47% për Slloveninë.

Vlera të larta në rezultat, për treguesin e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimi, paraqet edhe fqinji ynë verior, Mali i Zi. Sipas raportit në këtë vend, sipërmarrjet që shkojnë në proces falimentimi, rikuperojnë rreth 42,8% të borxheve që kanë ndaj kreditorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›